Kodi i Etikes

 

NENI 1 

BAZA LIGJORE

 

Kodi i Etikës në Sh.L.U.J. Medikadent bazohet në Ligjin Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e lartë në Republikën  e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin Nr.10307, datë 22.07.2010 “Për Arsimin e lartë  në Republikën  e Shqipërisë”.

 

 

NENI 2

QËLLIMI

 

Sh.L.U.J. Medikadent me përgjegjësinë e promovimit të një atmosfere ndershmërie akademike, me qëllimin për edukimin e gjithë komunitetit të tij përgatit dhe miraton këtë Kod Etike nëpërmjet të cilit do të sigurohet që politikat e institucionit do të realizohen në përputhje me këto norma, në shërbim të integritetit dhe imazhit universitar.

 

Qëllimi i kodit të etikës është të sigurojë realizimin e misionit të universitetit në përputhje me parimet e deklaruara dhe vlerat e universitetit.

- Të ruajë reputacionin dhe imazhin e universitetit brenda dhe në marrdhënie me të tretët.

- Drejtësi; Drejtësia kërkon që njerëzit të trajtohen në mënyrë të kujdesshme, të mos diskriminohen, abuzohen apo përdoren. Kjo konsiston në ndarjen dhe parandalimin e abuzimit me pushtetin. Do të thotë mundësi të barabarta dhe ndarje korrekte të përfitimeve sociale për individ. Kjo bazohet në bindjen ndaj ligjeve të shtetit.

- Respekt për të tjerët, që nënkupton njerëzit të trajtohen si individë me të drejta që duhen respektuar dhe mbrojtur, sidomos në rastet kur individët janë të pafuqishëm për të kërkuar të drejtën.

- Përgjegjësi, që do të thotë se njerëzit kryesisht kanë detyrim moral të bëjnë mirë dhe jo të dëmtojnë interesat e tjetër kujt. Për veprimet, subjektet do të mbajnë përgjegjësi.

- Të sigurojë të tretët që në mardhënie me universitetin, do të plotësohen

standartet etike të duhura.

- Të sigurojë dhe të përdorë mekanizmat e duhura për implementimin,

monitorimin dhe rishikimin e drejtimeve dhe politikave për t’i dhënë efektivitet kodit të etikës .

- Të sigurojë se parimet etike kyce janë përdorur në drejtimin e duhur.

- Të sigurojë një sjellje të mirë të anëtarëve të universitetit, në përputhje

me etikën profesionale.

 

 

NENI 3

MISIONI, PARIMET DHE VLERAT

 

Misioni i Sh.L.U.J. Medikadent është të jetë një komunitet mësimi dhe kërkimi shkencor me reputacion kombëtar, që mirëpret stafin dhe studentët nga nivele dhe nacionalitete të ndryshme, duke u bazuar në aplikimin inteligjent të njohurive, aftësive dhe teknologjisë bashkëkohore.

 

Në përputhje me misionin e saj Sh.L.U.J. Medikadent angazhohet të marrë përsipër:

 

a. Parimet e jetës publike 

- Integritetin

- Objektivitetin

- Përgjegjshmërinë

- Sinqeritetin

- Ndershmërinë

- Respektimin e hierakisë universitare

 

b. Vlerat e mëposhtme

- Të mësuarit dhe kërkimin shkencor 

- Ekselencën

- Integrimin

- Diversitetin social dhe kulturor

- Risinë

- Kujdesin dhe respektin reciprok

 

 

NENI 4

IMPLEMENTIMI

 

Një radhë rregullash do të mbulojë elementet specifikë të paraqitjes së misionit. Këshilli i etikës do të marrë të gjitha masat që t’i shpërndajë dhe propagandojë të gjitha rregullat specifike të kodit të etikës, duke përfshirë këtu ëeb-siten e universitetit.

 

 

NENI 5

MONITORIMI

 

Komisioni i etikës do të jetë përgjegjës për të siguruar që politika e universitetit të jetë në përputhje me kodin e etikës dhe veprimtaria e tij në mënyrë periodike do t’i raportohet Senatit të universitetit.

 

 

KREU II

PËRKUFIZIME

 

NENI 1 

Përcaktimi

 

Kodi i Etikës është një bashkësi parimesh dhe rregullash që duhet të respektohet nga stafi akademik, jo akademik dhe studentët e Sh.L.U.J. Medikadent.

 

 

NENI 2

Subjektet dhe njohja e Kodit të Etikës

 

Çdo anëtar i stafit akademik dhe jo akademik, student është i detyruar të njohë dhe të respektojë këtë kod.

 

 

NENI 3

Përbërja, mandati dhe funksionimi i Këshillit

 

Këshilli i etikës kryesohet nga Rektori. Ky Këshill përbëhet nga 5 anëtarë nga stafi akademik, nga të cilët çdo gjini ka të paktën 2 anëtarë. Këshilli drejtohet nga kryetari dhe një sekretar dhe funksionon në mënyrë kolegjiale me shumicë të thjeshtë.

 

Është organ drejtues në universitet dhe në rastet e parashikuara në Rregullore edhe në njësitë përbërëse të tij. Këshilli i etikës ngrihet pranë universitetit dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare, për të cilat i bën propozime Rektorit.

 

Këshilli i etikës përzgjidhet nga Senati akademik. Anëtarët zgjidhen nga personeli akademik me titullin “Profesor” me propozim të Rektorit. Këshilli i Etikës zgjedh kryetarin e tij dhe i propozon Senatit Akademik për miratim Kodin e Etikës të UT.

 

Mënyra e shqyrtimit të ankesave, vendimet, sanksionet përkatëse dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve, parashikohen në rregulloren e tij.

 

Këshilli ka të drejtë të  kërkojë dhe të marrë me iniciativë  informacione nga personeli akademik, ndihmës mësimor - shkencor dhe administrativ dhe njësitë përbërëse të universitetit, përveç Senatit Akademik, Rektorit dhe  hallkave paralelele dhe këshillat e studentëve lidhur me respektimin e kërkesave të moralit dhe të etikës në realizim të funksioneve e detyrave të secilit. 

 

Për rastet dhe mënyrën e verifikimeve në organet drejtuese dhe bashkëpunimit me  individë, organe dhe institucione jashtë tij, Këshilli i Etikës duhet të marrë pëlqimin e Senatit Akademik e në pamundësi, të  Rektorit i cili  kërkon miratimin për këtë në mbledhjen më të parë, në të kundërt, konstatimet janë të pavlefshme. 

 

Këshilli i Etikës ia paraqet konstatimet e tij Rektorit me rekomandimet përkatëse. 

 

Kur konstatimet lidhen me personelin akademik e kur është marrë pëlqim për verifikim, Rektori vë në dijeni Senatin Akademik. 

 

Mandati i anëtarëve të Këshillit të Etikës është 4 vjeçar dhe është i rinovueshëm. Mandati i anëtarit të organeve dhe autoriteteve drejtuese mbaron kur:

  1. përfundon afati;
  2. jep dorëheqjen;
  3. vdes, pamundësohet nga ana fizike apo mendore të ushtrojë funksionin;
  4. në rast shkelje të rëndë të ligjit dhe të statutit;

 

 

 

KREU III

DETYRIMET DHE NDALESAT

 

NENI 1

 

Kodi etik ndalon sjellje që, në kuptimin më të gjerë, mund të përshkruhen si mashtrim, kopje, a vjedhje. Shkeljet e kodit përfshijnë, por nuk kufizohen, në rastet e mëposhtme:

  1. Fabrikim i të dhënave apo citimeve
  2. Bashkëpunim në çështje të ndaluara nga pedagogu
  3. Paraqitje punimi në grup të paautorizuar
  4. Pengim i punës së të tjerëve, përfshi dëmtime a manipulime të bibliotekës
  5. Vjedhje intelektuale: paraqitje si të vetën e çfarëdo pune që s’është e veta
  6. Krijim i avantazheve të padrejta
  7. Favorizim mashtrimi
  8. Ndërhyrje në të dhëna apo falsifikim i tyre
  9. Kopje në provim nëpërmjet përdorimit të materialeve të shkruara apo dhënies a marrjes së ndihmës në çfarëdo forme gjatë provimit, përfshirë komunikimin me gojë, sinjale, mjete elektronike, etj.

 

 

NENI 2

Trajtimi pa paragjykime dhe krijimi i mundësive të barabarta të punësimit është detyrim.

Të gjithë drejtuesit ekzekutivë, Dekanët, Zv-Dekanët, Shefat e Departamenteve kanë përgjegjësinë për t’u kujdesur që këto parime të përkrahen në ç’do kohë dhe t’ju komunikohen të gjithë personelit për të patur njohuri të plota dhe për t’i kuptuar sa më mirë ato. Drejtuesit ekzekutivë duhet të trajtojnë brenda normave etike vartësit e tyre dhe

në asnjë mënnyrë të mos aplikojnë metoda dhe komunikim denigrues.

 

NENI 3

Anëtarët e stafit akademik dhe jo akademik studentë duhet t’a trajtojnë njëri-tjetrin me mirësjellje, konsideratë dhe profesionalizëm. 

Universiteti nuk do të tolerojë ngacmimin ndaj asnjë punëdhënsi, pedagogu, apo student që kryhet nga c’do anëtar tjetër i komunitetit universitar bazuar në dallimin racial, besimin, ngjyrën, kombësinë, etninë, seksin, orientimin seksual, privatësinë invaliditetin, fenë, gjendjen civile, apo mbi ç’do lloj çështje tjetër që mbrohet nga ligjet shtetërore. Me këtë politikë universiteti ndalon jo vetëm ngacmimet e paligjshme por gjithashtu edhe veprime të tjera joprofesionale dhe të pasjellshme. Përkatësisht, vërejtjet përçmuese apo të papërshtatshme, fyerjet apo shakatë që lidhen me faktorë të paligjshëm nuk do të tolerohen.

 

NENI 4

Është jo etike për anëtaret e stafit të universitetit, të pranojnë çfardo lloj dhurate apo përfitimi për vete, të cilat në një mënyrë apo tjetër mund të kompromentojnë apo influencojnë ata në kryerjen e detyrave të tyre.

Praktikat korruptive dhe konkretisht ofrimi, kërkimi, dhënia apo pranimi i dhuratave të jashtëligjshme dhe pagesave si dhe përfitimeve apo shërbimeve të tjera të cdo lloji për vehte apo për të tretët ndalohen rreptësisht.

 

 

 

 

NENI 5

Veshja dhe paraqitja korrekte, estetike është detyrim i tërë anëtareve të komunitetit universitar.

 

NENI 6

Ndalohet përdorimi i pijeve alkolike, substancave narkotike dhe duhanit në ambjentet e universitetit.

 

NENI 7

Gjatë punës së tyre pedagogët duhet të bëjnë kujdes për të ruajtur emrin e mirë të profesionit dhe të kenë marrdhënie korrekte me kolegët. Të punojnë në grup dhe të respektojnë hierarkinë institucionale. Të zbatojnë urdhrat dhe orientimet me shkrim ose me gojë nga eprori.

 

NENI 8

 

Në ambjentet universitare ndalohet komunikimi me zë të lartë prishja e higjenës dhe pastërtisë si (të shkruarit në banka, në mure, hedhja e mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, etj).

 

NENI 9

Deklarimet shkrimet apo publikimet që dëmtojnë apo denigrojnë imazhin e universitetit, apo të personelit të tij janë të ndaluara rreptësisht.

 

NENI 10

Anëtarët e universitetit janë të detyruar të respektojnë të drejtat e individit për privatësi dhe të trajtojnë në konfidencë të gjithë informacionin që u përket atyre mbi këtë bazë. Në veçanti përveç kërkesave ligjore mbi të dhënat personale dhe zyrtare (të tilla si rekordet

akademike) të studentëve apo stafit nuk mund t’u jepen të tretëve pa pëlqimin e individit, të cilit ky informacion i përket.

 

NENI 11

 

Nga Anëtaret e Senatit si persona përgjegjës për një komunitet më të gjerë për drejtimin dhe menaxhimin e universitetit, pritet që gjithmonë të veprojnë në interesin më të mirë të universitetit dhe komunitetit duke u treguar:

  • të përgjegjshëm dhe të arsyeshëm në ushtrimin e funksioneve të tyre
  • të ndershëm dhe gjithmonë në interesin më të mirë të universitetit si një i tërë
  • dhe jo në interes të grupeve të vecanta.

 

NENI 12

 

Përdorimi nga stafi i universitetit i burimeve (ambjentet, bibliotekat, laboratoret, etj) duhet të bëhet në një mënyrë rezultative dhe ekonomike dhe njëkohësisht të mos lejohet abuzimi me këto nga të tretët.

Prona universitare nuk mund të përdoret për qëllime private me përjashtim të rasteve të aprovuara nga Rektori.

 

NENI 13

Anëtarë të stafit akademik të universitetit inkurajohen të kontribuojnë në debatet publike në kuadër të shqetësimeve të qytetarëve. Anëtarë të stafit që shkruajne apo flasin në publik mund ta indetifikojnë veten si pjesë e universitetit dhe në të njëjtën kohë të bëjnë të qartë se pikëpamjet apo këndvështrimet janë personale. 

Përdorimi i emrit të universitetit ne promovime apo reklama të produkteve komerciale, do të lejohet vetëm në rastet kur ky veprim është i aprovuar ose do të sjellë një përfitim direkt për universitetin.

Anëtare të stafit nuk duhet të përdorin apo të lejojnë përdorimin e emrit të universitetit pa marrë miratim paraprak për këtë.

 

NENI 14

Ndërhyrja në të dhëna jo vetëm personale, marrja e paautorizuar dhe fallsifikimi i tyre përbën shkelje të rëndë të Kodit të Etikës.

NENI 15

Një person që padit, ose bën një deklaratë kundrejt një anëtari të Komunitetit Universitar me keqbesim ose për arsye irrituese ( pa baza dhe me qëllim të keq) do të ndëshkohet.

 

 

 

NENI 16

 

Çdo anëtar i stafit akademik në rast se vihet në dijeni të një shkeljeje të kodit ka për detyrë  t`ia bëjë të ditur këtë Këshillit të Etikës.

 

KREU IV

PROCEDURA PËR TRAJTIMIN E SHKELJEVE

NENI 1

Në rast shkeljesh të kodit të ndershmërisë akademike, KËhilli vë në dispozicion anëtarë për të hetuar, ndërmjetësuar dhe nëse është tejet e domosdoshme, për të ngritur një Grup Dëgjimor.

NENI 2

Komisioni mund të vihet në lëvizje kryesisht ose mbi bazën e një ankese.

NENI 3

Mënyra e trajtimit të shkeljeve të raportuara është përgjithësisht progresive. Kjo do të thotë që procedura është hartuar në mënyrë të tillë që të lejojë opsione zgjedhjeje në faza të ndryshme, bazuar mbi seriozitetin e problemit apo fakteve që dalin gjatë shqyrtimit.

NENI 4

Ndonëse puna normalisht bëhet nga Këshilli, siç përshkruhet këtu, Administratori/Kancelari ka autoritetin të mbledhë një komision për trajtimin e një akuze kur problemi është urgjent dhe Këshilli i përhershëm e ka të pamundur të mblidhet. Në raste të tilla, Administratori/Kancelari përpiqet brenda të gjitha mundësive të sigurojë përfaqësim si të studentëve edhe të stafit akademik në Grupin Dëgjimor.

NENI 5

Kushdo student apo anëtar i stafit që vë re, apo dyshon për një shkelje inkurajohet ta raportojë shkeljen tek cilido anëtar i Këshillit të etikës, apo në zyrën e Rektorit, ose të Kancelarit, të cilët ia transmetojnë problemin Këshillit.

 

 

NENI 6

 

Anëtarëve te stafit u kërkohet të raportojnë direkt në zyrën e Rektorit / Kancelarit të gjitha rastet e pandershmërisë akademike. Kjo përfshin në veçanti ato raste, në të cilat studenti dhe profesori e zgjidhin problemin pa kërkuar ndonjë masë nga Këshilli i Etikës. Edhe pse një rast pandershmërie akademike mund të zgjidhet me një qortim të fortë, rasti duhet të regjistrohet në mënyrë që pedagogu dhe Rektori të mund të kenë dijeni nëse studenti ka apo nuk ka raste të mëparshme të rregjistruara te Këshilli i Etikës. Studentët që dëshirojnë të kontestojnë pretendimet kundër tyre apo vendimin e Zyrës së Rektorit / Kancelarit, mund të kërkojnë të dëgjohen nga Grupi Dëgjimor.

 

NENI 7

 

Kur Këshilli merr njoftim për një shkelje të kryer, kryetari cakton një nga anëtarët të ndërmarrë rolin e ndërmjetësuesit dhe/apo të nxjerrë në dritë faktet. Ky e fillon punën në mënyrë sa më të shpejtë e më efikase që të jetë e mundur.

 

NENI 8

 

Anëtari i KE që caktohet, kontrollon pikësëpari nëse studenti i akuzuar ka shkelje të regjistruara në regjistrat e Keshillit që ruhen në Zyrën e Zv-Rektorit. Nëse studenti nuk ka shkelje të mëparshme të raportuara, personi hetues kontakton studentin e akuzuar dhe personin apo personat dyshues për studentin dhe fillon investigimin me shpresën për të gjetur arsye për ndërmjetësim. Po qe se pas investigimit del se nuk ka shkelje të mëparshme, faji nuk është tepër i rëndë, personi hetues mund të tentojë të shohë nëse palët bien dakort për faktet e çështjes dhe nëse mund të arrihet një zgjidhje që nuk do kërkonte përfshirjen e një Grupi Dëgjimor. Po qe se nuk arrihet një zgjidhje, kërkohet séance dëgjimore dhe profesori vazhdon të mbledhë fakte nga gjithë palët e përfshira. Po ashtu, nëse studenti i akuzuar ka shkelje të regjistruara, kërkohet një seancë dëgjimore dhe mbledhësi i fakteve fillon investigimin me synim përgatitjen e çështjes për dëgjim. 

Kur hetimi është i plotë, personi hetues bën një përmbledhje me shkrim të çështjes. Kjo përmbledhje e palëve të përfshira në shkeljen e pandehur dhe Kryetarit të Komisionit të  Etikës. Kryetari kontakton anëtarët e tjerë të komisionit , me synimin e thirrjes së një Grupi Dëgjimor. Kryetari mban parasysh se një vendim i Komisionit kërkon shumicë të thjeshtë të të pranishmëve. Seanca dëgjimore kryesohet nga mbledhësi i fakteve, që vetë nuk voton.

 

NENI 9

 

Votimi që konfirmon një shkelje duhet të bazohet mbi të dhëna të qarta e bindëse. Nëse shumica e anëtarëve votues, votojnë se shkelja është kryer, atëhere Grupi Dëgjimor vijon me diskutimin për dënimin.

 

NENI 10

 

Pasi Këshilli ka shqyrtuar dënimin e mundshëm, Kryetari vendos se cili duket vendimi më i arsyeshëm nga shumica.

 

NENI 11

 

Vendimet kundër një personi mund të apelohen tek Rektori, veç rrethanave të jashtëzakonshme, brenda një afati prej 7 ditësh pune nga dhënia e vendimit. Normalisht Rektori merr në konsideratë vetëm apelimet që lidhen me shkelje proceduriale apo të dënimeve të pa-arsyeshme. Zyra e Rektorit ka autorizimin të vendosë dënimin për personin në fjalë. 

 

Një vendim i Këshillit nëse nuk ka patur shkelje nuk mund të apelohet më tej.

 

NENI 12

 

Sekretari mban protokoll të seancës. Këto materiale të shkruara janë konfidenciale dhe ruhen. 

Vetë proçedurat dhe dënimi i pezullimit nuk bëhen pjesë e dosjes së studentit. 

Me diplomimin e studentit, regjistrimi i një shkeljeje të vetme fshihet.

 

NENI 13

 

Personi që ka vënë re shkelje ka detyrimin të paraqesë një ankesë ose formular me shkrim, e shoqëruar ose jo me prova.

 

NENI 14

 

Rektori nëse sheh që ka prova të qarta dhe konkrete, merr vendimin në përputhje me Kodin e Etikës.

 

 

 

 

 

NENI 15

 

Nëse provat nuk lejojnë të konkludosh në mënyrë të domosdoshme ose janë të pamjaftushme. Rektori ia përcjell çëshjen Komisionit te Etikës, ose mund të ngrejë një grup dëgjimor në përputhje me specifikat e problemit, i cili pasi shqyrton rastin, rezultatin ia përcjell Këshillit të Etikës. Ky i fundit merr vendim për masën ndëshkuese që do të aplikohet.

 

NENI 16

 

Këshilli i Etikës ia përcjell vendimin Rektorit të universitetit.

 

 

 

KREU V

 

NENI1

 

Masat ndëshkuese të parashikuara nga ky kod janë:

- vërejtje me shkrim

- paralajmërim për largim nga puna

- pezullim nga një semestër deri në një vit akademik

- largim përfundimtar nga puna

 

NENI 2

 

Caktimi i masave ndëshkuese në parim do të ketë karakter progresiv, përvec rasteve kur shkeljet janë të rënda.

 

NENI 3

 

Caktimi i llojit të masës ndëshkuese do të bëhet në bazë të  llojit të shkeljes, intensitetit, përsëritshmërisë dhe pasojave të ardhura.

 

Ky kod është miratuar nga Këshilli i Etikës i Sh.L.U.J. Medikadent me Vendim Nr. 1, datë    .10.2010.

 

Prof.As.Dr. Fatos Harito Kryetar ________________

Prof.Dr. Sokrat Meksi Sekretar ________________

Dr. Shk. Luan Nikollari Anëtar ________________

Luljeta Dimushi Anëtar ________________

Vilma Buzo Anëtar ________________