Lirim Ismaili

Jam ne vitin e pare ne degen Laborant i larte dentar. Nuk eshte rastesi qe jam ne Universitetin  "Medikadent", sepse ka tradite si i pari institucion jopublik i hapur per formimin e laboranteve dentare.

HISTORIK MBI “MEDIKADENT”

 

Shkolla e Lartë Universitare Jopublike MEDIKADENT është institucion jopublik i arsimit të lartë, i licensuar si i tillë, me VKM Nr. 674, datë 27.09.2006 dhe ushtron veprimtarinë e tij në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Ligjit Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e lartë në Republikën  e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Shkolla e Lartë Universitare Jopublike Medikadent ka për qëllim kryesor organizmin e mësimit dhe të kërkimit shkencor, zhvillimin dhe përhapjen e dijes në shkencat mjekësore në nivelet më të larta intelektuale, edukimin dhe formimin cilësor universitar dhe profesional, formimin e vazhdueshëm dhe përshtatjen e veprimtarive të tij me zhvillimet shoqërore dhe ekonomike. Është institucion i pavarur nga çdo lloj orientimi ideologjik, politik apo fetar, që vepron në përputhje dhe në respekt të parimeve kushtetuese dhe të dispozitave ligjore në fuqi. Ai garanton lirinë e studimit, të mësimdhënies dhe të kërkimit të lirë shkencor.

Promovon zhvillimin e lirë të studimit, procesit mësimor dhe të kërkimit shkencor, bashkëpunimin e frytshëm me institucione shëndetësore publike apo private. Promovon  gjithashtu, mendimin e lirë të pedagogëve dhe studentëve duke u siguruar mundësi të barabarta për punësim dhe studim. Në këtë institucion ofrohet modeli i edukimit, që zhvillon aftësitë analitike, kultivon mendimin e pavarur dhe inkurajon nismën individuale tek studentët, e pasqyruar kjo në kurrikulat dhe metodat e mësimdhënies dhe studimit.

“MEDIKADENT” është shkolla e parë jopublike në Shqipëri, për formimin e laborantëve dentarë me program 2-vjeçar, e licensuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me Urdhrin Nr.71, datë 29.10.1998 në zbatim të Ligjit Nr.7952 datë 21.06.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republiën e Shqipërisë”. Me hapjen e saj, kjo shkollë ka kontribuar në kualifikimin e një kontigjenti specialistësh të fushës së teknikës dentare, për të cilën tregu i punës në vend, ndiente mungesë që pas tranzicionit. Natyrisht koha solli edhe nevojën për formim të nivelit universitar të Laborantëve dentarë,  sikurse u pa edhe nga eksperiencat e rajonit e më gjerë. Ishte pikërisht kjo bërthamë, nga e cila u ngrit më pas dhe institucioni i arsimit të lartë universitar jopublik Medikadent. Ky institucion i arsimi të lartë i ka qendruar besnik deri më sot, profilit mjekësor që ka patur që në themelim.

 

Pranë Shkollës së Lartë Universitare Jopublike Medikadent ofrohen:

Programe Studimi Bachelor ( 180 kredite – 6 semestra ) në:

  • Laborant i Lartë Dentar
  • Infermieri
  • Logopedi
  • Fizioterapi
  • Laborant Mjekësor

 

 

Programe Studimi Master Profesional ( 90 kredite – 3 semestra ) në:

  • Infermieristikë Kirurgjikale
  • Infermieristikë Pediatrike
  • Infermieristikë Patologjike
  • Infermieristikë Obstetrike

 

Kurikulat e programeve të studimit Bachelor që ofrohen pranë institucionit tonë, kanë një  harmonizim organik midis lëndëve të formimit të përgjithshëm, me ato të formimit profesional e të formimit të posaçëm. Ato ofrojnë dinamizëm dhe elasticitet përkundrjet ndryshimeve të mundshme që mund të ndodhin në kurrikulat analoge europiane, ndryshime këto që mund të mirëpriten edhe tek ne. Sigurisht që elementi më i rëndësishëm i kutikulave që ofrohen, është ndërthurja e teorisë me praktikën mësimore e profesionale, e cila realizohet pranë qendrave spitalore universitare me të cilat institucioni ynë ka marrëveshje bashkëpunimi. Objektivat institucionale qëndrojnë në  rishikim të vazhdueshëm të kurrikulës, për të ofruar njohuri gjithnjë e më të vyera, forcimi i bazës materiale që do të mbështesë kurikulat, përmirësimi i vazhdueshëm i nivelit të mësimdhënies nëpërmjet kualifikimit të stafit të ri në vend, përzgjedhjes të stafeve akademike të formuar jashtë, si dhe mundësia për të ofruar kualifikim të mëtejshëm universitar pas diplomës bachelor.

Shkolla e Lartë Universitare Jopublike Medikadent i kushton vëmendje të vecantë kërkimit shkencor, si pjesë e rëndësishme e punës kërkimore. Në datën 21 Qershor 2011 u organizua pranë ambientevë të shkollës, Konferenca e Parë Shkencore Studentore, ku u referuan me sukses tema nga fusha e infermieristikës dhe teknikës dentare, të interesit të vecantë.

Shkolla e Lartë Universitare Jopublike Medikadent, është pjesë integrale e sistemit të shkollave të larta që ofrojnë programin e studimit Bachelor në Infermieri. Në këtë sistem institucioni ynë zë vend të rëndësishëm në kurrikulën universitare për programin e Infermierisë të përgjithshme, sepse përfaqëson një diplomë nga të parat e sistemit të arsimit të lartë privat në këtë fushë dhe zë një vend dinjitoz në kurrikulën përkatëse kombëtare. Ky fakt u përligj më së miri edhe në rezultatet e  arritura në kuadër të Procesit të Renditjes së Fakulteteve, të bëra publike gjatë muajit korrik.

Në këtë nismë  të Minitrisë së Arsimit dhe Shkencës, Agjensisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë në bashkëpunim me Kompaninë gjermane CHE ( Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë ), Shkolla e Lartë Universitare Jopublike Medikadent me programin Bachelor në Infermieri,  u rendit një ndër tre IAL ( institucionet e arsimit të lartë ) me rezultatet më të mira. Treguesit më të fortë të institucionit tonë të evidentuar në rankim, përmendim:

  • Kualifikimi i personelit
  • Hapësirat e ofruara për student
  • Treguesi i cilësisë dhe mësimdhënia

Për treguesit e marrë në shqyrtim nga kompania gjermane CHE, Universiteti Medikadent pati vetëm vlerësime të larta. Natyrisht që rezultate të tilla japin garanci për cilësi dhe standarte të ofruara nga ne, por njëkohësisht na motivojnë, që të jemi novatorë në cdo nismë tonën.