Leonora Vladi

Mençuria nuk lind por fitohet ne jetë.
Eksperienca më e bukur  përjetohet tek ne
Dijet më të vlefshme merren per jetën
Informacionet  më të plota në lidhje me Infermierine
Konkurente me shkollat e tjera
Arsimim  nga nje staf  i kualifikuar mjekesh
Dituri e mare me mund
Entuziazëm në realizimin e praktikave spitalore
Ndergjegjshmeri ne profesion
Talente që perfeksionohen tek ne





 

Statuti

Dispozita të Përgjithshme

 

Neni 1

Forma juridike

 

Shkolla e Lartë Universitare JopublikeMEDIKADENT është institucion jopublik i arsimit të lartë i njohur si person juridik privat me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Nr. 30516/1 dt. 07.11.2005, i krijuar  në bazë të lejes së posaçme të dhënë me Vendimin e Keshillit të Ministrave Nr. 674, datë 27.09.2006.

 

Neni 2

Baza ligjore

 

Veprimtaria e universitetit bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin Nr.9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e lartë në Republikën  e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin Nr.10307, datë 22.07.2010 “Për Arsimin e lartë  në Republikën  e Shqipërisë”.

 

Neni 3

Selia

 

Selia qëndrore dhe e vetme e universitetit është në Tiranë, Rr. “Reshit Petrela” pranë stacionit të trenit, kompleksi Usluga.

 

Neni 4

Emri, stema dhe vula

 

Emri zyrtar i universitetit është Shkolla e Lartë Universitare JopublikeMEDIKADENT. Stema dhe vula zyrtare e universitetit i bashkëlidhen këtij statuti në aneksin përkatës. 

 

Neni 5

Qëllimet

 

Sh.L.U.J.Medikadent ka për qëllim kryesor promovimin dhe organizmin e mësimit dhe të kërkimit shkencor, zhvillimin dhe përhapjen në nivelet më të larta intelektuale të dijes në shkencat mjekësore; edukimin dhe formimin cilësor universitar dhe profesional, formimin e vazhdueshëm dhe përshtatjen e veprimtarive të tij me zhvillimet shoqërore dhe ekonomike.

 

Në realizimin e misioneve të tij, universiteti vepron në respekt të të drejtave themelore të njeriut të sanksionuara ne Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Kartat, Deklaratat, dhe Konventat europiane dhe ndërkombëtare.

 

Sh.L.U.J.Medikadent promovon zhvillimin e lirë të studimit, procesit mësimor dhe të kërkimit shkencor, bashkëpunimin e frytshëm me institucione shëndetësore publike apo private, me botën e punës dhe të profesioneve, me veprimtaritë jofitimprurëse dhe vullnetare.

 

Sh.L.U.J.Medikadent është i pavaruar nga çdo lloj orientimi ideologjik, politik apo fetar; vepron në përputhje dhe në respekt të parimeve kushtetuese dhe të dispozitave ligjore në fuqi; garanton lirinë e studimit, të mësimdhënies dhe të kërkimit të lirë shkencor.

 

Sh.L.U.J.Medikadent promovon mendimin e lirë të pedagogëve dhe studentëve duke u siguruar mundësi të barabarta për punësim dhe studim. Personeli akademik, joakademik dhe studentët e universitetit, bashkëpunojnë në përputhje me statuset e tyre, funksionet dhe përgjegjësitë, për arritjen dhe realizimin e qëllimeve institucionale

 

Sh.L.U.J.Medikadent aspiron përmbushjen e misionit të tij arsimor në frymën e lirisë dhe të respektit të dinjitetit human, pluralizmit të ideve, trasparencës së procedurave.

 

Neni 6

Parimet bazë

 

Referuar parimeve të autonomisë dhe të lirisë akademike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe hapësirës ligjore, Sh.L.U.J.Medikadent vendos rendin e tij autonom në këtë statut dhe në rregulloret e miratuara në zbatim të tij. 

 

Sh.L.U.J.Medikadent është institucion i arsimit të lartë privat, me autonomi mësimore, shkencore, normimi, organizimi, administrimi dhe vetëfinancimi që shprehen në:

  1. vetëorganizim dhe vetëqeverisje të strukturave dhe të veprimtarive të tij;
  2. të drejtën për hartimin dhe zhvillimin e pavarur të programeve të studimit dhe të projekteve të kërkimit;
  3. të drejtën për të caktuar kritere të pranimit të studentëve në programet e studimeve;
  4. të drejtën për të mbledhur fonde, për të përfituar mjete materiale, sipas rregullave në fuqi, si dhe të drejtën për të realizuar marrëveshje me subjekte publike dhe private, vendase apo të huaja për trajnime, kualifikime ose për projekte kërkimore; të drejtën për të administruar fondet e veta dhe të ardhura të tjera, që disponon sipas mënyrës së përcaktuar me ligj;
  5. lirinë e mësimdhënies, lirinë e kërkimit shkencor, lirinë e krijimit, në përputhje me dispozitat ligjore;
  6. liritë themelore të shprehjes dhe të shtypit dhe pavarësi të plotë në veprimtarinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.

 

 

KREU II

Organet drejtuese dhe të administrimit

 

Neni 7

Organet qendrore drejtuese dhe të administrimit

 

Organet qëndrore drejtuese dhe të administrimit të universitetit janë Administratori, Bordi drejtues, Senati akademik, Rektori, Kancelari, Drejtori i kurikulave dhe  Politikave të Zhvillimit, Këshilli i Etikës.  

 

Neni 8

Administratori

 

Administratori është themeluesi i universitetit dhe financuesi i vetëm i tij. 

Vendimet që kanë të bëjnë me tarifat e shkollimit, punësimin, pagat, investimet, të ardhurat dhe shpenzimet e shkollës merren në cdo rast nga pronari i shoqërisë tregtare ose administratori ngarkuar prej tij.

 

Autoritetet dhe organet drejtuese të shkollës mund të bëjnë vetëm propozime e të shfaqin mendime për problemet ekonomike e financiare.

 

Neni 9

Bordi Drejtues

 

Bordi drejtues është organ kolegjial vendimmarrës që mbikqyr dhe kontrollon, veprimtaritë e Sh.L.U.J.Medikadent në aspektet administrative, financiare dhe ekonomike si dhe në ushtrimin e mbrojtjen e të drejtave të pronësisë së Sh.L.U.J.Medikadent

 

Bordi drejtues informon Senatin Akademik dhe Rektorin për situatën financiare dhe projektet përkatëse për të gjithë Sh.L.U.J.Medikadent.                                     

                                            

Bordi drejtues përbëhet gjithsej nga 10+1 anëtarë (respektivisht nga një anëtar për çdo njësi kryesore, një anëtar student) .

 

Anëtari student, zgjidhet nga Këshilli i Studentëve të institucionit. 

Mandati i anëtarëve është 3 vjeçar. Mandati i anëtarit të tij të zgjedhur,  merr fund:  - me mbarimin e afatit; 

- me dorëheqje; 

       - kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore  apo të punës; 

       - kur mungon pa arsye në 6 seanca radhazi mbledhjesh të Bordit;

       - kur shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat e brendshme të bordit ose pa shkak e në mënyrë të përsëritur nuk ka realizuar detyrat e ngarkuara nga bordi

Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për anëtar të bordit. Kur nuk ka tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të tij.

Neni 10

Senati akademik

 

Senati akademik është organi drejtues akademik më i lartë i cili ushtron të gjitha kompetencat që lidhen me programimin dhe koordinimin e aktiviteteve mësimore dhe të kërkimit shkencor. Senati akademik formulon politikat e zhvillimit të universitetit, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimit e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. 

 

Senati akademik kryesohet nga Rektori dhe përbëhet nga Dekanët, Përgjegjësit e njësive bazë, Kancelari, 2 përfaqësues të trupës pedagogjike dhe një përfaqësues i trupës studentore. Senati akademik mblidhet periodikisht dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Mandati i Senatit është 4 vjeçar. Mandati i anëtarit të Senatit Akademik merr fund me mbarimin e afatit; me dorëheqje; kur ndërpret marrëdhëniet pedagogjike, studimore apo të punës; kur mungon pa arsye në 6 seanca radhazi mbledhjesh të tij. Vendi i mbetur vakant plotësohet sipas renditjes në listën përkatëse të kandidatëve gjatë votimit për Senatin Akademik. Kur nuk ka të tillë, Rektori thërret zgjedhjet për anëtar të zgjedhur të Senatit Akademik.

 

Funksionet kryesore të Senatit akademik janë:

  1. garanton respektimin e parimeve të autonomisë dhe të mundësive të barabarta të lirisë akademike e të kërkimit, si dhe të drejtat e studentëve;
  2. miraton drejtimet e zhvillimit akademik të universitetit që propozohen nga të gjithë shkallët e hierarkisë akademike;
  3. miraton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit dhe programin vjetor të veprimtarive të tij;
  4. miraton projektstatutin dhe projektrregulloren e universitetit me 2/3 e votave të anëtarëve të tij;
  5. harton dhe miraton programet e studimit, të kërkimit, të zhvillimit dhe hapjen, ndryshimin ose mbylljen e njësive mësimore ose kërkimore;
  6. miraton krijimin e qendrave apo kurseve te posaçme, si dhe projekte të tjera shërbimi që ofrohen nga fakultetet, bazuar në propozimin e këshillit të fakultetit përkatës;
  7. vlerëson, garanton dhe mban përgjegjësi për sigurimin e brendshëm të cilësisë së universitetit, në përputhje me standartet shtetërore;
  8. vlerëson veprimtarinë mësimore-kërkimore të personelit akademik;
  9. harton dhe propozon listën e kritereve për emërimin e të gjitha niveleve të personelit akademik; 
  10. ratifikon marrëveshjet e nënshkruara nga Rektori në emër të universitetit për anëtarësimin në organizata kombëtare e ndërkombëtare të arsimit të lartë, për bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë, publike dhe private, vendase dhe të huaja si dhe për marrëveshje bashkëpunimi me organizma joqeveritare;
  11. për probleme që i konsideron të rëndësishme mund të krijojë komisione të përhershme ose të përkohshme, me anëtarë të Senatit akademik dhe të ftuar;
  12. kur e çmon të nevojshme, përcakton kritere të veçanta në përzgjedhjen e kandidatëve për t’u pranuar student në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve sipas propozimeve të këshillave të fakulteteve;
  13. shfuqizon aktet e këshillave të fakulteteve, kur bien ndesh me statutin dhe rregulloret përkatëse;
  14. I propozon Ministrit të Arsimit dhe Shkencës hapjen apo mbylljen e programeve të studimit.
  15. Me ankim, me kërkesë apo kryesisht, shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të këshillit të fakultetit. Kur konstaton se ato vijnë ndesh me ligjin për arsimin e lartë dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, ia kthen për shqyrtim edhe njëherë këshillit të fakultetit me sugjerimet përkatëse. Nëse këshilli i fakultetit përsëri merr vendim në kundërshtim me aktet normative në fuqi, Senati Akademik vendos ndryshimin ose shfuqizimin e tij.
  16. Zgjidh mosmarrëveshjet mes dekanit dhe këshillit të fakultetit përkatës.
  17. Miraton rastet e trajtimit të posacëm të pedagogëve, studiuesve dhe studentëve me aftësi e rezultate veçanërisht të larta e të rëndësishme.
  18. Përzgjedh anëtarët e Këshillit të Etikës. 

 

Në ushtrim të kompetencave, Senati akademik shpreh vullnetin e tij me vendime të cilat kanë fuqi të drejtpërdrejtë si dhe me dhënie mendimi kolegjial. 

 

 

Neni 11

Rektori

 

Rektori emërohet nga Administratori dhe mban të paktën titullin “Profesor i asociuar”. Rektori drejton dhe përfaqëson universitetin në cilësinë e kryetarit të Senatit akademik.

 

  1. Rektori ushtron një sërë kompetencash ndër të cilat:
  1. drejton dhe përfaqëson universitetin në marrëdhënie me të tretët; 
  2. garanton autonominë dhe unitetin kulturor të universitetit;
  3. paraqet propozimet për aktet që duhen shqyrtuar nga Senati akademik, apo Këshilli i etikës;
  4. shfuqizon aktet e dekanit dhe të përgjegjësit të njësisë bazë kur janë në kundërshtim me statutin dhe regulloret;
  5. nënshkruan diplomat në përfundim të programeve të studimeve sipas cikleve përkatës pa të drejtë për ta deleguar nënshkrimin;
  6. ushtron kontrolle tematike në njësitë e universitetit për përmbushjen e qëllimeve të tij, si dhe për zbatimin e akteve të organeve të universitetit.

 

Marrëdhëniet e Rektorit me organet e tjera, ushtrimi i kompetencave të tij, si dhe çështje të tjera që lidhen me të, përcaktohen në rregulloren e universitetit.

 

Neni 12

Kancelari

 

Kancelari menaxhon veprimtarinë ekonomike, financiare e administrative të Sh.L.U.J.Medikadent. Ai organizon, kontrollon, kryen revizionim të brendshëm dhe analiza me karakter ekonomiko-financiar të cilat ia paraqet rektorit  për shqyrtim.

 

Kancelari përgjigjet për arkëtimin e kuotave te studentëve, si dhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj organeve shtetërore, për pagimin e taksave, tatimeve, si dhe për detyrimet ndaj të tretëve.

 

 

 

Neni 13

Këshilli i etikës

 

Është organ drejtues në universitet dhe në rastet e parashikuara në Rregullore edhe në njësitë përbërëse të tij. Këshilli i etikës ngrihet pranë Sh.L.U.J.Medikadent dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare, për të cilat i bën propozime Rektorit.

 

Këshilli i etikës përzgjidhet nga Senati akademik. Anëtarët zgjidhen nga personeli akademik me titullin “Profesor” me propozim të Rektorit. Këshilli i etikës kryesohet nga Rektori. Anëtarët e Këshillit të Etikës emërohen nga Senati Akademik prej personelit akademik, sipas propozimeve të Rektorit. Këshilli i Etikës përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët çdo gjini duhet të ketë të paktën 2 anëtarë. Këshilli i Etikës zgjedh kryetarin e tij dhe i propozon Senatit Akademik për miratim Kodin e Etikës të Sh.L.U.J.Medikadent.

 

Mënyra e shqyrtimit të ankesave, vendimet, sanksionet përkatëse dhe ekzekutimi i këtyre vendimeve, parashikohen në rregulloren e tij.

 

Këshilli ka të drejtë të  kërkojë dhe të marrë me iniciativë  informacione nga personeli akademik, ndihmës mësimor - shkencor dhe administrativ dhe njësitë përbërëse të Sh.L.U.J.Medikadent, përveç Senatit Akademik, Rektorit dhe  hallkave paralelele dhe këshillat e studentëve lidhur me respektimin e kërkesave të moralit dhe të etikës në realizim të funksioneve e detyrave të secilit. 

 

Për rastet dhe mënyrën e verifikimeve në organet drejtuese dhe bashkëpunimit me  individë, organe dhe institucione jashtë tij, Këshilli i Etikës duhet të marrë pëlqimin e Senatit Akademik e në pamundësi, të  Rektorit i cili  kërkon miratimin për këtë në mbledhjen më të parë, në të kundërt, konstatimet janë të pavlefshme. 

 

Këshilli i Etikës ia paraqet konstatimet e tij Rektorit me rekomandimet përkatëse. 

 

Kur konstatimet lidhen me personelin akademik e kur është marrë pëlqim për verifikim, Rektori vë në dijeni Senatin Akademik. 

 

 

Neni 14

Drejtoria e Kurrikulave dhe Politikave të Zhvillimit

 

Është organ drejtues në universitet dhe  në varësinë e Rektorit të Sh.L.U.J.Medikadent. Ajo përpunon informacione të ardhura nga Fakultetet dhe përgatit materiale në nivel universiteti për t’ja paraqitur Rektorit për zyrtarizim (firma), përgatitje dërgesa në MASH etj. apo për analiza të ndryshme perspective. Harton projekte lidhur me politikat e zhvillimit të institucionit.

 

Detyra të drejtorisë së Kurrikulave dhe Politikave të Zhvillimit janë:

 

Mbajtja e planeve mësimore (zyrtare) të të gjitha programeve të studimit si dhe të syllabuseve përkatëse (të plotësuara në përputhje me një model të përpunuar nga kjo zyrë dhe miratuar nga Rektori).

Përgatitja e materialeve përkatëse të këtij karakteri kur kërkohet nga procedurat e akreditimit etj.

 

Kontrolli dhe verifikimi i planeve të reja mësimore dhe syllabuseve përkatëse që përpunohen për programe të reja studimi në përputhje me udhëzimet e MASH, përgatitja e tyre korrekte për firmë nga titullarët (Rektori e dekanët).

 

Pjesmarrja në bashkëpunim me fakultetet për hartimin e planeve mësimore të programeve të reja të studimit, nëpërmjet paraqitjes së kërkesave të udhëzimeve të MASH dhe të eksperiencave në vend dhe jashtë tij.

Mbajtja e dokumentacionit të MASH për licensat, akreditimet e programeve të studimit të Universitetit, miratimeve e regjistrimeve të diplomave dhe përgatitja e axhendave të kërkesave të institucionit për kërkesë miratim programesh, akreditime, miratim regjistrimi diplomash.

Përgatitje e materialeve përkatëse të këtij karakteri kur kërkohet nga procedurat përkatëse të miratuara.

 

 

Neni 15

Mandati i organeve dhe autoriteteve drejtuese

 

Mandati i anëtarit të organeve qëndrore dhe autoriteteve drejtuese në universitet është 4 vjeçar dhe është i rinovueshëm.

 

Mandati i anëtarit të organeve dhe autoriteteve drejtuese mbaron kur:

  1. përfundon afati;
  2. jep dorëheqjen;
  3. vdes, pamundësohet nga ana fizike apo mendore të ushtrojë funksionin;
  4. në rast shkelje të rëndë të ligjit dhe të statutit;

 

Neni 16

Struktura e administrimit

 

Organizimi i strukturës administrative përcaktohet nga Administratori. Struktura administrative përbëhet:

a) Zyra e financës

b) Zyra juridike 

c) Zyra e statistikës/informacionit

d) Zyra e marketingut

 

Në realizimin e funksioneve të tij, Administratori ka të drejtë të modifikojë strukturën administrative në përputhje me statutin, nevojat operative dhe funksionale të universitetit.

 

 

 

 

 

KREU III

Struktura dhe organizimi 

 

Neni 17

Njësitë përbërëse

 

Sh.L.U.J.Medikadent është një strukturë e përbërë dhe e integruar që grupon njësitë kryesore, të cilat organizohen në njësi bazë:

 

a) Fakulteti i Infermierisë

  1. Departamenti i Lëndëve Bazë
  2. Departamenti i Lëndëve Klinike
  3. Departamenti i Kujdesjeve infermierore

b) Fakulteti i Shkencave mjekësore të aplikuara

  1. Departamenti i Lëndëve Bazë
  2. Departamenti i Metodikave Laboratorike
  3. Departamenti i Logopedisë

 

Neni 18

Fakulteti

 

Fakulteti është njësi kryesore që bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura të njësive bazë. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme në përfundim të të cilave përfitohet diplomë. 

 

Struktura organizative, përbërja, funksionimi dhe të tjera çështje që lidhen me të përcaktohen në rregulloren e fakultetit.

 

Neni 19

Këshilli i fakultetit

 

Këshilli i fakultetit është organ kolegjial vendimmarrës i cili kryesohet nga Dekani. Këshilli i Fakultetit përbëhet nga 4 veta dhe zgjidhet nga stafi akademik.  Mandati i anëtarëve të Këshillit të Fakultetit është tre vjeçar.

Këshilli i fakultetit ushtron një sërë kompetencash ndër të cilat:

  1. me propozim të njësive bazë, programon përdorimin e burimeve njerëzore dhe materiale në dispozicion të fakultetit;
  2. propozon programe të reja studimi dhe të kërkimit shkencor; 
  3. propozon hapje, ndryshim ose mbyllje të njësive bazë;
  4. i propozon Senatit akademik planin strategjik të zhvillimit të fakultetit dhe mbikqyr realizimin e tij.

 

 

Neni 20

Dekani 

 

Dekani është autoriteti drejtues i fakultetit dhe emërohet në detyrë nga Rektori me propozimin e Senatit akademik dhe aprovimin e Administratorit. Dekani duhet të ketë të paktën titullin “Doktor”.

 

Dekani drejton të gjithë punën mësimore e shkencore në fakultet. Ai harton planin e zhvillimit te fakultetit sipas njësive bazë, miraton planin kalendarik akademik të propozuar nga përgjegjësi i njësisë bazë dhe përmbush të tjera të drejta dhe detyrime të përcaktuara në rregulloren e fakultetit. Ai është përgjegjës për organizimin e programit të studimit sipas standarteve të përcaktuara me lig, si dhe të gjithë procesin mësimor-kërkimor për realizimin e programit të studimit.

 

Neni 21

Njësitë bazë

 

Departamenti është njësi bazë mësimore-kërkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies dhe veprimtaritë kërkimore duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare në dispozicion.

 

Qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit kanë strukturë të ngjashme me departamentin, fushat e kërkimit të të cilave harmonizohen me interesa të departamenteve të fakultetit. Qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore dhe zhvillimi, si dhe marrin pjesë në realizimin e programeve të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë.

 

Struktura organizative, përbërja, funksionimi dhe të tjera çështje që lidhen me njësitë bazë, përcaktohen në rregulloren e fakultetit.

 

Neni 22

Përgjegjësi i departamentit/qendrës së kërkimit dhe të zhvillimit

 

Përgjegjësi i njësisë bazë propozohet nga Këshilli i Fakultetit dhe miratohet nga Rektori.

 

Në cilësinë e drejtuesit të procesit mësimor të njësisë bazë, Përgjegjësi i departamentit propozon kalendarin mësimor vjetor, vendos datat e provimeve brenda sezoneve të miratuara nga Dekani dhe aprovon programet mësimore të lëndëve në përputhje me kurrikulën. Përgjegjësi i departamentit propozon pedagogët e lëndëve në përputhje me kurrikulën e departamentit. 

 

Përgjegjësi i qendrës së kërkimit dhe zhvillimit paraqet për miratim nga Dekani, planin e kërkimit dhe të zhvillimit për qendrën kërkimore. Përgjegjësi i qendrës së kërkimit dhe të zhvillimit propozon gjithashtu projekte kërkimore dhe përcakton përgjegjësit e këtyre projekteve.

 

Përgjegjësi i njësisë bazë është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë e saj, formimin e grupeve mësimore dhe funksionimin e tyre. Përgjegjësi i njësisë bazë ndjek rregullisht dhe sistematikisht zbatimin e programeve të studimeve nga pedagogët, vlerëson programet dhe drejton zhvillimin e kurrikulave. Përgjegjësi i njësisë bazë ndërton planin e plotë të veprimtarive ekstrakurrikulare dhe të inisiativave kërkimore-shkencore, ideon, harton dhe propozon strategjitë e ecurisë dhe zhvillimit të njësisë bazë.

 

Neni 23

Grupet mësimore e kërkimore

 

Njësitë bazë kanë të drejtë të organizohen në grupe mësimore e kërkimore me karakter të përhershëm ose të përkohshëm. Titullarët e grupeve përzgjidhen me konkurim dhe emërohen nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore për periudhën që përputhet me kohëzgjatjen e funksionimit të grupit. 

 

 

KREU IV

Organizimi i studimeve

 

Neni 24

Programet për studimet universitare

 

Forma e studimeve në universitet është me kohë të plotë dhe në gjuhën shqipe. Sh.L.U.J. Medikadent harton dhe ofron programe të akredituara të studimeve të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite.

 

Programet e studimeve propozohen nga njësitë kryesore dhe miratohen nga Senati akademik i universitetit. Programet e akredituara të studimeve të ofruara shpallen publikisht para fillimit të aplikimit për pranime në to.

 

Neni 25

Ciklet dhe titujt e studimeve universitare

 

Programet e studimeve që do të ofrojë Sh.L.U.J. Medikadent janë programe studimi universitare Bachelor dhe Master profesionalë.

 

Neni 26

Programet e studimeve 

 

Nëpërmjet programeve të studimit Bachelor synohet të jepen njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi specifike në një varietet të gjerë profesionesh e specialitetesh. Në përfundim të këtyre programeve lëshohet Diplomë Bachelor në fushën e arsimit të kryer. Programet e studimeve bachelor realizohen me të paktën 180 kredite dhe zgjatja e tyre normale është minimalisht 3 vjet.

 

Nëpërmjet programeve të studimit Master Profesional synohet të jepen njohuri specifike mbi metoda e parime shkencore të vecanta dhe aftësi specifike në një varietet të gjerësh specialitetesh. Në përfundim të këtyre programeve lëshohet Diplomë Master Profesional në fushën e arsimit të kryer. Programet e studimeve Master realizohen me të paktën 90 kredite dhe zgjatja e tyre normale është minimalisht 1,5 vjet

 

Neni 27

Pranimi në programin e studimeve

 

Kanë të drejtë të aplikojnë për pranimin në programin e studimeve bachelor shtetasit shqiptarë të pajisur me dokument zyrtar të përfundimit të shkollës së mesme në Shqipëri ose jashtë saj (ekuivalente sipas kritereve të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës). Të drejtën për të kandiduar për pranimin në ciklin e parë të studimeve e kanë edhe studentët e huaj bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe.

 

Dosja e pranimit të kandidatëve duhet të përmbajë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) çertifikatë personale/lindje

b) dokument zyrtar që vërteton përfundimin e shkollës së mesme

c) kërkesën për t’u pranuar në konkursin e fushës së dëshiruar 

d) formular aplikimi

e) pagesën e kuotës së rregjistrimit në universitet

 

 

Kanë të drejtë të aplikojnë për pranimin në programin e studimeve master shtetasit shqiptarë të pajisur me Diplomë Bachelor brenda ose jashtë R.Sh. (ekuivalente sipas kritereve të vendosura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës). Të drejtën për të kandiduar për pranimin në programet e studimeve master e kanë edhe studentët e huaj bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe ose shumëpalëshe.

 

Dosja e pranimit të kandidatëve duhet të përmbajë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) çertifikatë personale/lindje

b) Diplomë Bachelor

c) kërkesën për t’u pranuar në konkursin e fushës së dëshiruar 

d) formular aplikimi

e) pagesën e kuotës së rregjistrimit në programin e studimit përkatës

 

Sh.L.U.J. Medikadent ruan të drejtën për të caktuar kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve që aplikojnë për pranimin në programet e studimeve Bachelor dhe Master. Këto kritere bëhen publikisht të njohura nga universiteti të paktën një vit para fillimit të pranimeve përkatëse së bashku me informacionin e nevojshëm për njësinë përkatëse dhe programet që ofron. 

 

Neni 28

Kontrolli i njohurive

 

Njohuritë e përfituara nga studenti, mund të kontrollohen dhe të vlerësohen përmes një kombinimi të frekuentimit dhe aktivizimit të studentit gjatë orëve të mësimit në auditor, provimeve me shkrim, detyrave të kursit, punëve laboratorike, eseve dhe provimit me gojë.

 

Një student mund të përjashtohet nga një prej metodave të vlerësimit apo të mos i jepet vlerësimi në një modul të caktuar nëse:

 

  1. nuk ka përmbushur kërkesat specifike të vendosura nga fakulteti për pranimin në provimin apo përfundimin e një moduli;
  2. nuk ka shlyer detyrimet financiare ndaj universitetit; 
  3. i jepet një masë e tillë si dënim për shkak të shkeljes së rregullores apo Statutit të Sh.L.U.J. Medikadent.

 

 

Neni 29

Trasferimet

 

Sh.L.U.J. Medikadent ofron mundësinë për transferime të studentëve midis programeve të të njëjtit cikël, brënda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve Bachelor. 

 

Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, përcaktimi i vitit akademik në të cilin transferohet në varësi të përputhjes me programin e studimeve miratuar dhe zbatuar nga universiteti, merret nga Komisionit i Ekuivalentimit të Programeve, ngritur nga Dekani i fakultetit përkatës, në përputhje me rregulloren e strukturës mësimore që pranon studentin. 

 

 

Neni 30

Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies

 

Studimet në Sh.L.U.J. Medikadent zhvillohen me bazë viti akademik i cili përbëhet nga 30 javë mësimore dhe 6 javë sezon. Javët mësimore organizohen në 2 semestra me nga 15 javë akademikë secili. Java akademike organizohet me së paku 20 orë mësimi leksione, seminare, laboratorë dhe praktikë në 5 ditë të javës. 

   

 

Neni 31

Diplomimi

 

Me përmbushjen e të gjitha detyrimeve të një programi studimi, të detyrimeve financiare ndaj institucionit, dhe përfundimin e studimeve universitare, Sh.L.U.J. Medikadent ka të drejtë të lëshojë diploma: 

  • Diploma Bachelor 
  • Diploma Master Profesional

 

 

Neni 32

Elementë të programeve të studimeve

 

Në rregulloret e fakulteteve të Sh.L.U.J. Medikadent përcaktohen të dhëna të përgjithshme të programeve, fusha e studimit, përmbajtja, forma, objektivat kryesorë, plani mësimor, kreditet e detyrueshme të studimeve, klasifikimi i programit të studimeve, kriteret e përzgjedhjes në rastet e pranimeve me numër të kufizuar, metodat e vlerësimit dhe kushtet për përparim në program, kushtet për transferime ndërmjet programeve, titujt profesionalë etj. 

 

Neni 33

Sigurimi i cilësisë – akreditimi

 

Në kuadrin e rritjes së kualifikimit cilësor të institucioneve të arsimit të lartë, dhe programeve të studimeve ofruar prej tyre, universiteti, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi, synon të përmirësojë dhe standartizojë njësinë përkatëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë për vlerësimin  periodik të efikasitetit të veprimtarive mësimore, kërkimore si dhe të veprimtarive administrative e financiare të tij.

 

Vlerësimi i brendshëm cilësor i strukturave kryhet nëpërmjet raporteve, anketimeve dhe kontrollit të literaturës në nivel njësie bazë (me propozim të pedagogut të lëndës) në bashkëpunim me Përgjegjësat e departamenteve  çdo fund viti akademik.

 

Kryerja e vlerësimit të brendshëm të strukturave ose programeve të studimit bëhet çdo 3 vjet akademikë.

 

Neni 34

Njohja dhe ekuivalentimi i diplomave dhe i periudhave të studimeve

 

Sh.L.U.J. Medikadent mund të bëjë ekuivalentim të pjesëve ose programeve të plota të studimit ose të diplomave të marra në institucione të tjera të vendit ose të huaja. 

 

Dosja e pranimit duhet të përmbajë dokumentacionin e mëposhtëm:

a) çertifikatë personale/lindje;

b) dokument zyrtar që vërteton përfundimin e shkollës së mesme;

c) kërkesën për t’u pranuar në konkursin e fushës së dëshiruar; 

d) formular aplikimi;

e) pagesën e kuotës së regjistrimit në universitet;

f) listë e detyrimeve të shlyera në insitucionin e mëparshëm së bashku me vlerësimet dhe numrin e krediteve;

g) dokumentacion që vërteton kohëzgjatjen e studimeve në institucionin e mëparshëm;

h) të dhëna për kursin e studimit dhe kurrikulën;

i) të dhëna për procesin mësimor në institucionin e mëparshëm.

 

Procedurat dhe kërkesat për ekuivalentim përcaktohen në rregulloren e Sh.L.U.J. Medikadent. 

 

Kreu V

Studentët

 

Neni 35

Të drejtat dhe detyrat e studentit

 

Individi e fiton statusin e studentit me regjistrimin në Sh.L.U.J. Medikadent dhe e humbet me marrjen e diplomës përkatëse dhe në raste të çregjistrimit. Rastet e çregjistrimit përcaktohen në rregulloren e universitetit.

 

  1. Studentët kanë të drejtë:
  1. të ndjekin të gjitha veprimtaritë mësimorë (leksione, seminare, praktika, laboratore, provime etj.) në përputhje me statusin e tyre;
  2. të përdorin mjediset dhe shërbimet e ofruara nga universiteti përkatësisht;
  3. të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e universitetit të parashikuara për studentët, në përputhje me këtë statut;
  4. të shprehin opinionin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit akademik të institucionit;
  5. të përfitojnë nga veprimtaritë mësimore dhe të diplomohen pasi të kenë përmbushur detyrimet e përcaktuara në programin e studimeve;
  6. të vlerësohen drejtë dhe objektivisht për përpjekjet dhe ecurinë gjatë studimeve.

 

2. Studentët kanë për detyrë:

  1. të njohin dhe të zbatojnë rregullat e hartuara nga universiteti;
  2. t’u kushtojnë vëmendjen e duhur studimeve dhe të marrin pjesë në veprimtaritë akademike;
  3. të paguajnë rregullisht tarifat e shkollimit dhe të shërbimeve të ofruara nga universiteti; 
  4. të respektojnë kodin e etikës në përputhje me statutin dhe rregulloren e universitetit;
  5. të njohin dhe të respëktojnë të drejtat e personelit të universitetit, të studentëve të tjerë etj. 

 

Sh.L.U.J. Medikadent nuk mban përgjegjësi për pasojat që mund të rrjedhin nga mosnjohja e statutit dhe e rregulloreve përkatëse. 

 

Neni 36

Këshillat e studentëve

 

Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve në universitet, që nuk zhvillojnë veprimtari në kundërshtim me ligjet në fuqi. Këshillat e studentëve promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të universitetit.

 

Këshillat e studentëve organizohen në nivel fakulteti, insitucioni dhe në nivel kombëtar.

 

Këshillat e studentëve nuk mund të organizohen në struktura të tjera politike dhe jopolitike, jashtë institucioneve të universitetit. Mënyrat dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në rregulloret përkatëse në përputhje me ligjin.

 

Neni 37

Bursat 

 

Sh.L.U.J. Medikadent ofron mbështetje ekonomike të studentëve të cilët kanë arritur rezultate të shkëlqyera që përballohet nga buxheti i universitetit.

 

Kriteret e nevojshme dhe procedurat e detajuara për të përfituar bursa sipas këtij neni, përcaktohen në rregulloren e Sh.L.U.J. Medikadent.

 

 

 

KREU VI

Struktura e personelit, organika dhe punësimi

 

Neni 38

Struktura dhe organika

 

1. Personeli i universitetit përfshin:

  1. personelin akademik cili përbëhet nga profesorë, docentë dhe lektorë;
  2. personeli ndihmës mësimor-shkencor i cili përbëhet nga asistentët mësimorë dhe nga asistentët kërkimorë;
  3. personeli administrativ i cili përbëhet nga të gjithë punonjësit e administratës që shërbejnë në realizimin e qëllimeve të universitetit.

 

Neni 39

Personeli akademik efektiv

 

Personeli akademik efektiv përbëhet nga anëtarë të cilët janë titullarë të lëndës ose modulit dhe udhëheqës të veprimtarisë së kërkimit shkencor. Personeli akademik kryen veprimtari të mësimdhënies, kërkim shkencor ose të aplikuar, shërbime për zhvillim të institucionit, konsultim dhe këshillim për studentët dhe detyra administrative. 

 

Neni 40

Personeli akademik i ftuar

 

Për të plotësuar nevojat e procesit mësimor, këshillat e fakulteteve me propozim të departamenteve, ftojnë për veprimtari mësimore-kërkimore personel akademik, sipas kërkesave të vendit të punës për periudha semestrale ose njëvjeçare të përsëritshme. Përzgjedhja e personelit akademik të ftuar duhet të kombinojë me nevojën e njësisë për mësimdhënie ose kërkim shkencor si dhe me kualifikimet e tyre.

 

Kritere të detajuara për aktivizimin dhe përzgjedhjen e personelit akademik të ftuar përcaktohen në rregulloret e njësisë përkatëse kryesore. 

 

Neni 41

Personeli akademik me kontratë

 

Sh.L.U.J. Medikadent ruan të drejtën të punësojë me kontratë personalitete vendase ose të huaja për periudha të caktuara kohe. Ky personel punësohet me vendim të Senatit akademik sipas propozimeve të fakultetit të interesuar. 

 

 

Neni 42

Kërkesat për punësim

 

Në fillim të vitit akademik, bazuar në nevojat e tyre për personel akademik, njësitë bazë të universitetit i paraqesin Senatit akademik kërkesat për plotësimin e vendeve vakante. Kandidatët marrin pjesë në konkursin publik sipas procedurave të shpallura nga universiteti posaçërisht, ku përparësi kanë kandidatët që plotësojnë më mirë dhe i përgjigjen përshkrimit të vendit të punës.

 

Vlerësimi dhe përzgjedhja e kandidatit bëhet nga Komisioni i Vlerësimit, strukturë e ngritur posaçërisht nga universiteti, në perberje të së cilës ka anëtarë nga Këshilli i fakultetit.

 

E njëjta procedurë ndiqet për punësimin e personelit administrativ i cili përzgjidhet nga Komisioni i Vlerësimit me përbërje në varësi të pozicionit përkatës.