Luarba Halili
Perspektiva ime per te ardhmen eshte padyshim profesioni i infermieres, ne te cilin e shoh veten time. Jo me kot bera kete zgjedhje dhe pikerisht tek "Medikadent", sepse jam e sigurt, qe fale mesimdhenies se shkelqyer dhe stafit te perkushtuar, e ardhmja ime profesionale eshte e garantuar.

Rregullorja
RREGULLORE E Sh.L.U.J. MEDIKADENT
Mbështetur në Ligjin Nr. 10307, datë 22.7.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9741, datë 21/05/2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Statutin e Sh.L.U.J.MEDIKADENT, Senati Akademik i Sh.L.U.J.MEDIKADENT miraton këtë rregullore:
PJESA E PARË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Kjo Rregullore ka për qëllim rregullimin e veprimtarisë mësimore-shkencore dhe administrative të SH.L.U.J.Medikadent në përputhje me objektivat dhe misionin ligjor të saj.
Neni 2
Baza ligjore
Baza kryesore juridike e kësaj Rregulloreje janë Kushtetuta, Kodi i Punës, Kodi i Procedurave Administrative, Ligji për Arsimin e Lartë, aktet nënligjore të dala në zbatim të tij dhe Statuti i SH.L.U.J.Medikadent, si edhe aktet e tjera ligjore e nënligjore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, që kanë efekte në veprimtarinë e SH.L.U.J.Medikadent, në kuadrin e kësaj Rregulloreje si dhe në përputhje me bazën kryesore juridike të saj.
Neni 3
Fusha e veprimit
Rregullorja e SH.L.U.J.Medikadent shtrin efektet e saj në të gjitha strukturat, organet dhe autoritetet drejtuese, njësitë përbërëse, personelin akademik, personelin joakademik dhe studentët, si dhe çdo personi tjetër fizik apo juridik që vepron në objektet apo territorin e SH.L.U.J.Medikadent.
Rregullorja e SH.L.U.J.Medikadent disiplinon edhe marrëdhëniet e organeve dhe autoriteteve drejtuese të saj me njësitë përbërëse.
Marrëdhëniet me të tretët dhe veprimtaria e tyre në territorin e SH.L.U.J.Medikadent, bazohen në aktet ligjore e nënligjore përkatëse ose marrëveshjet e lidhura por duke iu referuar dispozitave të kësaj Rregulloreje, përveç kur me ligj parashikohet shprehimisht ndryshe.
Neni 4
Rregulloret e brendshme
Njësitë kryesore kanë rregullore të veçanta të brendshme të miratuara nga organet dhe autoritetet drejtuese përkatëse të SH.L.U.J.Medikadent.
Rregulloret e brendshme shtrijnë efektet në të gjitha strukturat, organet dhe autoritetet drejtuese, personelin akademik, joakademik dhe studentët, si dhe çdo personi fizik apo juridik që vepron në objektet dhe territorin përkatës.
Rregulloret e brendshme të njësive përbërëse kryesore rregullojnë marrëdhëniet e këtyre njësive me njësitë bazë dhe me njësitë e tjera përbërëse të tyre.
Njësitë përbërëse kanë rregullore të veçanta me efekte brenda tyre, miratuar nga organi drejtues.
Neni 5
Rregulla të veçanta
Senati i SH.L.U.J.Medikadent, mund të nxjerrë rregulla të veçanta të zbatueshme në mënyrë të përhershme apo të përkohshme vetëm për një fushë, drejtim, objekt apo njësi të caktuar, për të siguruar zbatimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutin e SH.L.U.J.Medikadent dhe këtë Rregullore ose kur ka detyrim ligjor të posaçëm, në drejtime, situata apo kushte të një rëndësie të veçantë apo të jashtëzakonshme.
Neni 6
Vendimet, urdhrat dhe udhëzimet
Vendimet, urdhrat dhe udhëzimet, respektivisht të organeve dhe autoriteteve drejtuese shtrijnë efektet e tyre në drejtimet përkatëse kur janë miratuar apo nxjerrë rregullisht, në formë dhe brenda kompetencave.
Neni 7
Njoftimet
Organet dhe autoritetet drejtuese të SH.L.U.J.Medikadent dhe njësitë përbërëse kryesore marrin dijeni për aktet ligjore e nënligjore, apo aktet e tjera te nxjera në zbatim të tyre, nga struktura përkatëse.
Dorëzimi apo njoftimi mbi aktet e mësipërme, ju bëhet anëtarëve të organeve drejtuese dhe autoriteteve drejtuese si dhe personelit administrativ, përkundrejt nënshkrimit drejtpërdrejt apo bashkëlidhur tekstit përkatës, i cili ruhet nga komunikuesi për aq kohë sa ka fuqi vepruese akti dhe më pas arkivohet.
Komunikimi i mësipërm është i vlefshëm edhe nëpërmjet postës elektronike zyrtare.
Në këtë mënyrë veprohet edhe për aktet e brendshme të organeve dhe njësive përkatëse.
Neni 8
Njoftimi individual
Personeli akademik, joakademik dhe studentët marrin dijeni për Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin, këtë Rregullore, rregulloret e brendshme të njësive dhe aktet tjera me karakter të përhershëm duke njohur vetë tekstin që u vihet në dispozicion nga struktura akademike dhe administrative përkatëse në kohën e fillimit të marrëdhënieve të punës ose studimit.
Ndryshimi apo shfuqizimi i akteve bëhet me komunikim të përgjithshëm duke e afishuar atë në vende të posaçme, përveç kur është i detyrueshëm njoftimi individual.
Tekstet e akteve me karakter të përhershëm dhe ndryshimet e mëvonshme, konsiderohen të njoftuara në se publikohen në faqen elektronike të SH.L.U.J.Medikadent, përveç kur ka detyrim për njoftim personalisht.
Neni 9
Interpretimi
Kur në kuadrin e zbatimit të një akti ka qëndrime të ndryshme për përmbajtjen e tij autoriteti drejtues përkates bën interpretimin i cili kur kërkohet, të jepet me shkrim.
Organet më të larta se interpretuesi me iniciativë ose me kërkesë, miratojnë ose ndryshojnë interpretimin e bërë.
Organi që ka nxjerrë aktin bën interpretimin që është i detyrueshëm për të gjithë.
Neni 10
Kundërshtimi i interpretimit
Kur kundërshtohet interpretimi i lëshuesit të aktit, Senati Akademik ose Rektori sipas rastit, shqyrton ligjshmërinë e interpretimit të vetë aktit dhe bën interpretimin përfundimtar ose ndryshimin përkatës në akt, kur është brenda kompetencave të tij.
Neni 11
Mangësitë në akte
Kur në kuadrin e zbatimit të aktit dalin aspekte të parregulluara, lëshuesi i aktit apo organi që ka në kompetencë aspektin përkatës, përcakton mënyrën e veprimit nisur nga rregullimi i aspekteve të ngjashme e kur është e pamundur nga parimet e përgjithshme të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Statutit.
Në këto raste plotësimi i aktit është detyrë e atij organi.
PJESA E DYTË
STRUKTURA ORGANIZATIVE E SH.L.U.J. MEDIKADENT
KREU I
Njësitë përbërëse dhe strukturat
Neni 12
Njësitë përbërëse të SH.L.U.J.Medikadent
SH.L.U.J.Medikadent përbëhet nga 2 fakultete, departamentet përkatësë, grupet mësimore-kërkimore, laboratorët, njësitë didaktike dhe biblioteka.
Neni 13
Struktura Qendrore dhe e Njësive Përbërëse Kryesore
Struktura Qendrore
Autoritete drejtuese:
- Rektori
- Dekani
- Përgjegjësi i Departamentit
Organe drejtuese:
- Bordi drejtues
- Senati Akademik
- Këshilli i Etikws
- Kancelari
- Drejtori i Kurrikulave
- Këshilli i Fakultetit
Struktura e Administratës:
- Sektori i Sigurimit të Cilësisë dhe Vlerësimit të Brendshëm
- Sektori Juridik
- Sektori i Financës dhe Buxhetit
- Sektori i Administratës
- Sektori i Shërbimeve Ndihmëse
1. FAKULTETI I SHKENCAVE MJEKWSORE TW APLIKUARA
I. Autoritetet drejtuese:
- Dekani
- Përgjegjësi i Departamentit
II. Organe drejtuese
- Këshilli i Fakultetit
III. Autoritete të tjera:
- Kancelar
IV. Njësitë bazë
- Departamenti i Lëndëve Bazë
- Departamenti i Metodikave Laboratorike
- Departamenti i Logopedisë
V. Administrata
- Dega e Financës dhe Buxhetit
- Sekretaria mësimore
- Biblioteka
VI. Punonjës ndihmës mësimorë-shkencorë
2. FAKULTETI I INFERMIERISË
I. Autoritetet drejtuese:
- Dekani
- Përgjegjësi i Departamentit
II. Organe drejtuese
- Këshilli i Fakultetit
III. Autoritete të tjera:
- Kancelar
IV. Njësitë bazë
- Departamenti i Lëndëve Bazë
- Departamenti i Lëndëve Klinike
- Departamenti i Lëndëve të Specialitetit
V. Administrata
- Dega e Financës dhe Buxhetit
- Sekretaria mësimore
- Biblioteka
VI. Punonjës ndihmës mësimorë-shkencorë
KREU II
Funksione dhe kompetenca të tjera të organeve
dhe autoriteteve drejtuese
Neni 14
Rektori
Rektori është autoriteti drejtues më i lartë i SH.L.U.J. MEDIKADENT. Detyrat dhe kompetencat e tij janë përcaktuar në Statutin e universitetit.
Neni 15
Kancelari
Kancelari i Universitetit është autoriteti që realizon administrimin financiar, drejton planifikimin dhe realizimin e investimeve, drejton veprimtarinë e administratës, me detyra dhe kompetenca të përcaktuara në aktin nënligjor dhe Statutin e SH.L.U.J. MEDIKADENT.
Neni 16
Dekani
Dekani është autoriteti drejtues më i lartë i njësisë kryesore. Detyra dhe kompetencat e tij përcaktohen në Statutin e SH.L.U.J. MEDIKADENT.
Neni 17
Përgjegjësi i departamentit
Përgjegjësi i departamentit është autoriteti më i lartë drejtues në departament.
Veç detyrave të tjera të përcaktuara nga aktet normative në fuqi, përgjegjësi i departamentit ka edhe këto detyra për ushtrimin e funksioneve të tij:
- Drejton punën për hartimin e kurrikulave për të gjitha lëndët që mbulon departamenti, planeve mësimore dhe ndjek zbatimin e tyre.
- Mbikqyr veprimtaritë shkencore në departament, në përputhje me planifikimin vjetor, mban dokumentacionin e aktivitetit shkencor e akademik të personelit akademik të departamentit, pas raportimeve në analizën vjetore të tij.
- Mbikqyr respektimin e programeve të mësimdhënies në kohën e në mënyrën e caktuar, kërkimeve shkencore dhe veprimtarive të tjera.
- Miraton modalitetet e vlerësimit dhe ngre komisionet e provimeve të ciklit të parë të studimeve në lëndët që mbulon departamenti. Mbikqyr dhe nënshkruan realizimin e ngarkesës mësimore të personelit akademik.
- I rekomandon dekanatit kriteret e posaçme të pranimit të personelit akademik e ndihmës mësimor shkencor për departamentin, pas diskutimit paraprak në departament.
- I paraqet dekanatit listën me propozimet për personelin akademik me kontratë të përkohshme dhe të ftuar, pas diskutimit paraprak në departament.
- Propozon në këshillin e fakultetit hapjen, mbylljen apo ndryshimin e grupeve mësimore e kërkimore, strukturën e tyre e ndryshime të saj në përputhje me Statutin e SH.L.U.J. MEDIKADENT.
- Organizon analiza periodike ose për raste e aspekte të veçanta në departament dhe analizën vjetore të punës mësimore shkencore të tij.
- Në veprimtarinë e tij mbështetet në mendimin e personelit akademik të departamentit.
- Evidenton, verifikon dhe kur është rasti i propozon dekanatit masat për shkeljet e disiplinës në punë nga punonjësit e departamentit.
- Mbikqyr respektimin e disiplinës në punë, merr masat përkatëse për rivendosjen e rregullit në rast shkeljesh e të metash. Në rastet e rënda ose kur e çmon njofton dekanin me rekomandimet përkatëse organizative e disiplinore.
Neni 18
Përzgjedhja dhe emërimi i personelit me kohë të plotë
Punësimi në SH.L.U.J. MEDIKADENT bëhet bazuar në legjislacionin e punës në Republikën e Shqipërisë, aktet ligjore e nënligjore të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë dhe Statutin e SH.L.U.J. MEDIKADENT.
Punësimi realizohet me procedurë të konkurimit të hapur duke garantuar një proçes transparent, të paanshëm dhe objektiv.
Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për personel akademik dhe ndihmës mësimor shkencor për vendet e lira të punës, propozohen nga departamenti përkatës. Dekani pasi i verifikon paraprakisht dhe është dakord me to, i përcjell në Rektorat për miratim dhe për ndjekjen e mëtejshme të procedurave për shpalljen e vendeve të lira të punës.
Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për personel administrativ për vendet e lira të punës, propozohen nga kancelari. Dekani pasi i verifikon paraprakisht dhe është dakord me to, i përcjell në Rektorat për miratim dhe për ndjekjen e mëtejshme të procedurave për shpalljen e vendeve të lira të punës.
Komisioni i Vlerësimit për të tre kategoritë e punonjësve, ngrihet dhe funksionon sipas përcaktimeve në Statut.
Neni 19
Personeli akademik me kontratë të përkohshme dhe i ftuar
Njësitë kryesore në fillim të çdo semestri, përcjellin për miratim në Senatin Akademik, listën emërore të personelit akademik me kontratë të përkohshme, brenda numrit të miratuar për këtë kategori punonjësish nga organet përkatëse.
Departamenti në fillim të çdo semestri, propozon për miratim në këshillin e fakultetit listën emërore të personelit akademik të ftuar.
Konkurrimi për personelin akademik për të dyja kategoritë bëhet nëpërmjet vlerësimit të dosjes.
Kandidati duhet të plotësojë këto kërkesa të përgjithshme:
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkuron;
- të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një vepre penale me dashje;
- të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga puna;
- të ketë notë mesatare të lartë të studimeve.
Kritere më specifike përcaktohen në rregulloret e brendshme të njësive kryesore.
Neni 20
Të drejtat dhe detyrat e personelit akademik
Personeli akademik ka të drejtë:
- Të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ofron universiteti, fakulteti dhe departamenti, duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura;
- Të kërkojë të respektohen dhe të zbatohen të gjitha detyrimet që shtrohen gjatë procesit mësimor;
- Të kërkojë nga organet drejtuese të departamentit, fakultetit dhe universitetit, respektimin prej tyre të të gjitha të drejtave që burojnë nga Kodi i Punës dhe ligji për arsimin e lartë;
- Të kërkojë nga studentët një frymë etiko morale të tillë, që të jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi;
Personeli akademik ka për detyrë:
- Të hartojë në kohën e duhur, programin mësimor të lëndës në përputhje me planin kalendar, një kopje e të cilit dorëzohet në departament;
- Të shfrytëzojë me efektivitet orën e mësimit;
- Të ndjekë sistematikisht zhvillimin dhe arritjet e shkencës përkatëse në plan kombëtar e botëror dhe ta reflektojë atë në proçesin mësimor;
- Të hartojë në kohën e duhur tezat e provimit, të cilat çdo vit duhet të jenë të riformuluara e të azhornuara dhe gjithëpërfshirëse dhe ti nënshkruajë ato tek përgjegjësi i departamentit;
- Të zbatojë udhëzimet që dalin si domosdoshmëri gjatë realizimit të programit mësimor;
- Të respektojë gjatë gjithë veprimtarisë së tij parimet e etikës qytetare, Kodin e Etikës të SH.L.U.J. MEDIKADENT duke shfaqur një figurë të pajtueshme me veprimtarinë që zhvillohet në universitet;
- Të respektojë me përgjegjësi orarin dhe disiplinën në punë;
- Të ruajë sekretin profesional, të mos japë të dhëna lidhur me detyrën që kryen pa qenë i autorizuar nga autoriteti drejtues;
- Të plotësojë me përgjegjësi regjistrin e pedagogut.
Neni 21
Të drejtat dhe detyrat e personelit ndihmës mësimor shkencor
Përveç sa përcaktohen në Kodin e Punës dhe në kontratat individuale të punës, personeli ndihmës mësimor-shkencor ka edhe këto të drejta dhe detyrime:
Të drejtat:
- Të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ofron institucioni, duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura;
- Të kërkojë të respektohen dhe të zbatohen të gjitha detyrimet që shtrohen gjatë realizimit të detyrës së ngarkuar në proçesin mësimor;
- Të kërkojë nga autoritetet dhe organet drejtuese të departamentit, fakultetit dhe universitetit, respektimin prej tyre të të gjitha të drejtave që burojnë nga Kodi i Punës dhe ligji për arsimin e lartë;
- Të kërkojë nga kolegët dhe studentët një frymë etiko morale të tillë, që të jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi;
Detyrat:
- Të respektojë gjatë gjithë veprimtarisë së tij parimet e etikës qytetare, Kodin e Etikës të SH.L.U.J. MEDIKADENT duke shfaqur një figurë të pajtueshme me veprimtarinë që zhvillohet në universitet;
- Të kryejë me përgjegjësi detyrën e ngarkuar duke vënë në shërbim aftësitë profesionale dhe intelektuale;
- Të shfrytëzojë me efektivitet orën e mësimit;
- Të respektojë me përgjegjësi disiplinën në punë.
- Të ruajë bazën materiale që ka në ngarkim;
- Të ruaje sekretin profesional, të mos japë të dhëna lidhur me detyrën që kryen pa qenë i autorizuar nga autoriteti drejtues përkatës;
- Të zbatojë udhëzimet që dalin si domosdoshmëri gjatë realizimit të programit mësimor;
- Përveç detyrave kryesore të përcaktuara në rregulloret përkatëse, të realizojë edhe detyra të tjera rastësore në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fuqi apo urdhrave të titullarit drejtues përkatës;
- Të zbatojë çdo urdhër të posaçëm të autoritetit drejtues përkatës, për situata të veçanta, emergjente apo ngjarje të rëndësishme në institucion.
Neni 22
Të drejtat dhe detyrat e personelit administrativ
Përveç sa përcaktohen në Kodin e Punës dhe në kontratat individuale të punës, personeli administrativ ka edhe këto të drejta dhe detyrime:
Të drejtat:
- Të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ofron institucioni, duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura;
- Të kërkojë të respektohen dhe të zbatohen të gjitha detyrimet që shtrohen gjatë realizimit të detyrës së ngarkuar;
- Të kërkojë nga autoritetet dhe organet drejtuese të departamentit, fakultetit dhe universitetit, respektimin prej tyre të të gjitha të drejtave që burojnë nga Kodi i Punës dhe ligji për arsimin e lartë;
- Të kërkojë nga kolegët dhe studentët një frymë etiko morale të tillë, që të jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi;
Detyrat:
- Të respektojë gjatë gjithë veprimtarisë së tij parimet e etikës qytetare, Kodin e Etikës të universitetit duke shfaqur një figurë të pajtueshme me veprimtarinë që zhvillohet në universitet;
- Të kryejë me përgjegjësi detyrën e ngarkuar duke vënë në shërbim aftësitë profesionale dhe intelektuale;
- Të respektojë me përgjegjësi disiplinën në punë.
- Të ruajë bazën materiale që ka në ngarkim;
- Të ruaje sekretin profesional, të mos japë të dhëna lidhur me detyrën që kryen pa qenë i autorizuar nga autoriteti drejtues përkatës;
- Të zbatojë udhëzimet që dalin si domosdoshmëri gjatë realizimit të detyrës së ngarkuar;
- Përveç detyrave kryesore të përcaktuara në rregulloret përkatëse, të realizojë edhe detyra të tjera rastësore në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fuqi apo urdhrave të titullarit drejtues përkatës;
- Të zbatojë çdo urdhër të posaçëm të autoritetit drejtues përkatës, për situata të veçanta, emergjente apo ngjarje të rëndësishme në institucion.
Neni 23
Dhënia e masave disiplinore
- Masat disiplinore për të gjithë punonjësit e SH.L.U.J. MEDIKADENT jepen nga Rektori, si rregull me propozim të dekanit të njësisë kryesore apo Kancelarit.
- Përgjegjësi i departamentit dhe kancelari i njësisë kryesore, kanë gjithashtu të drejtë të propozojnë masa disiplinore për personelin akademik, ndihmës mësimor-shkencor dhe administrativ të njësisë që ata drejtojnë. Këto masa ata i propozojnë tek dekani i njësisë kryesore dhe në rast mospërputhje, drejtpërdrejt tek Rektori.
- Rektori dhe dekani, kanë të drejtë të japin masën disiplinore të pezullimit nga puna për një periudhë nga 1 ditë deri në një muaj.
- Masa disiplinore jepet pasi bëhen verifikimet e nevojshme për shkeljen dhe dëgjohen paraprakisht pretendimet e punonjësit. Si rregull, masat disiplinore merren sipas radhës së përcaktuar në nenin perkates në Statut, përveçse kur punonjësi ka kryer shkelje të rëndë të normave ligjore dhe nënligjore.
- Masa disiplinore “tërheqje vëmendje” shlyhet brenda tre muajve, nëse punonjësi ndaj të cilit është marrë ajo, nuk kryen shkelje tjetër. Masat disiplinore “vërejtje me shkrim” dhe “vërejtje me paralajmërim” shlyhen brenda gjashtë muajve, nëse punonjësi ndaj të cilit është marrë ajo, nuk kryen shkelje tjetër. Pas shlyerjes së masës, punonjësi konsiderohet pa masë disiplinore.
PJESA E TRETË
ORGANIZIMI, STRUKTURA, ELEMENTËT E STUDIMEVE
Kreu I
Organizimi i studimeve
Neni 24
Studimet universitare në SH.L.U.J. MEDIKADENT organizohen me kohë të plotë.
SH.L.U.J. MEDIKADENT ofron programe studimi Bachelor, të cilat realizohen me 180 kredite sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare Bachelor në fushën e arsimit të kryer.
Sasia mesatare e krediteve të grumbullura gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite. Një krediti të studimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit.
Programet e studimeve hartohen nga vetë universiteti dhe miratohen në Senatin Akademik.
SH.L.U.J. MEDIKADENT shpall publikisht programet e akredituara të studimeve që ofron, para fillimit të aplikimeve për pranime në to.
Neni 25
Afati i studimeve
Afati i studimeve për diplomën Bachelor është i përcaktuar në ligjin për arsimin e lartë dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.
Neni 26
Organizimi i vitit akademik
Studimet në SH.L.U.J. MEDIKADENT zhvillohen me bazë vitin akademik. Ato fillojnë 1 javë pas shpalljes nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës së datës për fillimin e vitit akademik në arsmin e lartë publik.
Viti akademik organizohet në dy semestra. Çdo semestër ka 15 javë. Çdo javë ka 20-25 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë.
Struktura e Studimeve
Neni 27
Struktura e studimeve për diplomën universitare Bachelor përfshin:
- Module të formimit të përgjithshëm
- Module të formimit specifik
- Disiplina të formimit të përgjithshëm
- Disiplina të formimit karakterizues të programit
- Disiplina formuese të ngjashme ose/dhe integruese me disiplinat karakterizuese
- Disiplina formuese të zgjedhura
- Veprimtari formuese për njohje të gjuhës së huaj, aftësime informatike dhe praktika apo stazhe
- Veprimtari formuese në lidhje me tezën e diplomës
Çdo fakultet përcakton sipas udhëzimeve të MASH dhe specifikave të veta, veprimtaritë formuese që karakterizojnë një program studimi.
Neni 28
Disiplinat e formimit specifik, sipas veçantive të çdo fakulteti, ndahen në:
- Disiplina të detyrueshme
- Disiplina me zgjedhje
Disiplinat e detyrueshme përfshijnë veprimtari shkencore të fushës përkatëse të diplomimit, të cilat janë të përcaktuara në kurrikulat mësimore.
Disiplinat me zgjedhje përfshijnë veprimtari shkencore të fushës përkatëse të diplomimit, të cilat janë të orientuara drejt një specializimi më të ngushtë.
Në përshtatje me kurrikulën e çdo departamenti, përcaktohen një numër i caktuar lëndësh me zgjedhje.
Neni 29
Vëllimi i studimeve përcaktohet në varësi të kurrikulave të çdo fakulteti, të cilat hartohen nga departamentet, miratohen nga këshilli i fakultetit dhe në përfundim marrin miratimin e Senatit Akademik.
Në fillim të çdo viti akademik, mbështetur në kurrikula, departamentet hartojnë planin mësimor të vitit, i cili miratohet nga këshilli i fakultetit dhe nga Rektori. Për çdo disiplinë hartohen programet mësimore.
Për çdo program studimi të ciklit të parë nuk mund të parashikohen në total më shumë se 22 provime apo forma të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve, të fituara në një disiplinë apo veprimtari tjetër formuese, duke realizuar provime të integruara për më shumë se një disiplinë apo module të koordinuara.
Elementët e Studimeve
Neni 30
Elementët kryesorë të mësimit janë: leksionet, seminaret, punët laboratorike, detyrat e kursit, projektet e kursit, praktikat profesionale, provimet e kursit, provimet e formimit, temat e diplomës, essetë. Në Fakultetin e Infermierisë njihen si elementë studimi edhe mësimi praktik dhe mësimi klinik pranë shtratit të pacientit.
Çdo fakultet mund të përcaktojë edhe elementë të tjerë të punës mësimore, veçanërisht në fushën e kontrollit të dijeve.
Ndarja e orëve mësimore në auditor në orë sipas elementëve të mësipërm të studimit për çdo disiplinë, përcaktohet nga personeli akademik përgjegjës për të, në bazë të krediteve që i janë caktuar disiplinës.
Neni 31
Leksionet, seminaret, praktikat mësimore apo profesionale, laboratorët etj. zhvillohen në grupe mësimore me numër studentësh sipas përcaktimeve në udhëzimet e Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës dhe rregulloreve të brendshme të njësive kryesore.
Ndarja e studentëve në grupe mësimore bëhet me miratim të dekanit dhe fiksohet në regjistrat e kurseve në të cilat pasqyrohet pjesëmarrja dhe zhvillimi i orëve të mësimit nga pedagogët.
Neni 32
Frekuentimi i leksioneve: Si rregull është fakultativ. Në përputhje me specifikat e veta, çdo fakultet në rregulloren e tij të brendshme, mund të përcaktojë lëndë, frekuentimi i të cilave mund të jetë i detyrueshëm deri në masën 75%.
Frekuentimi i seminareve: Është i detyrueshëm në masën 75%. Kur studenti ka marrë pjesë në 50-75% nuk ka të drejtë të futet në provimin e radhës por kalon në sezonin e vjeshtës. Kur studenti ka marrë pjesë në më pak se 50% të tyre, ai përsërit lëndën në vitin e ardhshëm.
Frekuentimi i punëve laboratorike, detyrave të kursit, mësimit praktik dhe mësimit klinik: Është i detyrueshëm në masën 100%. Kur studenti nuk ka frekuentuar deri në 25% të punëve laboratorike të çdo lënde, i shlyen ato në dy javët e fundit të vitit në vazhdim, apo semestrit kur lënda është semestrale. Nëse ka frekuentuar më pak se 75% të tyre, i shlyen ato në vitin pasardhës.
Projektet e kursit: janë të detyrueshme të shlyhen në masën 100%, në të kundërt studenti nuk hyn në provimin e lëndës.
Neni 33
Koha dhe auditori i zhvillimit të mësimit përcaktohen në orarin e mësimeve. Ai hartohet nga fakultetet në fillim të çdo semestri dhe shpallet nga sekretaria mësimore një javë para fillimit të mësimit. Orari është i detyrueshëm të respektohet nga studentët dhe pedagogët.
Orari mësimor ndërtohet mbi bazën e harmonizimit të elementëve të mësimit dhe të shpërndarjes racionale të ngarkesës së studentit. Kjo ngarkesë luhatet nga 20 – 25 orë në javë.
Kohëzgjatja e seancave mësimore është 50 minuta.
Neni 34
Regjistri i pedagogut është i vetmi dokument shtetëror bazë për të evidentuar zhvillimin e mësimit dhe evidentimit të mungesave. Mospjesëmarrja e studentëve në elementët e mësimit me frekuentim të detyrueshëm vlerësohet me mungesë në regjistrin e pedagogut.
Çdo pedagog, është i detyruar të shënojë në regjistër emërtimin e lëndës, elementët e mësimit të zhvilluar si dhe të pasqyrojë saktë mungesat dhe elementë të vlerësimit në proçes.
Regjistri depozitohet pranë sekretarisë mësimore, e cila evidenton frekuentimin e studentëve sipas lëndëve.
Neni 35
Njësitë kryesore duhet të mbajnë regjistër bazë të studentëve me të dhëna personale të tyre, vlerësimet e marra gjatë ndjekjes së programit të studimit, të dhëna mbi diplomën ose diplomat e marra bashkë me suplementin e diplomës etj., të formatuara këto sipas standardeve shtetërore.
Regjistri i studentëve plotësohet në formë të shkruar dhe elektronike dhe mbahet në ruajtje të përhershme.
Çdo studenti me regjistrimin fillestar në SH.L.U.J. MEDIKADENT, i jepet një numër unik matrikullimi që e shoqëron deri në marrjen e diplomës, duke respektuar edhe udhëzimet e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Kontrolli i Dijeve
Neni 36
Provimi, është forma kryesore për vlerësimin e nivelit të përvetësimit të njohurive që studenti ka përfituar gjatë zhvillimit të kursit teorik dhe praktik të një lënde.
Studenti përfiton të drejtën për tu paraqitur në provimin e një lënde, kur ka shlyer të gjitha detyrimet e parashikuara në planin mësimor dhe në masën e përcaktuar në këtë rregullore si dhe në rregulloren e fakultetit.
Studenti përfiton të drejtën për tu paraqitur në provim, kur shlyerja e detyrimeve është e konfirmuar nga pedagogu në pasqyrën e rezultateve të detyrimeve që plotësohet në përfundim të proçesit mësimor dhe dorëzohet në sekretarinë mësimore të paktën një javë para fillimit të sezonit të provimeve.
Neni 37
Kontrolli i dijeve bëhet: me shkrim; me gojë; ose i kombinuar.
Mënyrat, format dhe elementët e kontrollit të dijeve përcaktohen në rregulloret e brendshme të fakulteteve. Rezultati përfundimtar i kontrollit të dijeve përfshin vlerësimin e të gjithë elementëve të studimit të parashikuar në programin mësimor.
Teza e provimit hartohet nga titullari i lëndës dhe miratohet nga përgjegjësi i departamentit.
Njësitë kryesore me rregulloret e tyre të brendshme, mund të krijojnë komisione për mbikqyrjen e procesit të provimeve, nëse e vlerësojnë një gjë të tillë.
Neni 38
Afatet e provimeve
Provimet dhe riprovimet zhvillohen sipas afateve të caktuara në strukturën e vitit akademik, të miratuar nga këshilli i fakultetit dhe kalendarit të provimeve që shpallet në fillim të vitit akademik. Ndryshimet e mundshme në kalendar bëhen të paktën një muaj para fillimit të sezonit të provimeve.
Datat e provimeve dhe të riprovimeve propozohen nga departamentet dhe miratohen nga dekani.
Afatet e përcaktuara për provimet dhe riprovimet janë të detyrueshme për zbatim si për pedagogët, ashtu dhe për studentët.
Studenti nuk lejohet të hyjë për të dytën herë në provimin e një lënde brenda një sezoni.
Studenti ka të drejtë të japë provim në të njëjtën ditë në lëndë të ndryshme, nëse e lejon orari i zhvillimit të provimeve, me kusht që të jetë regjistruar paraprakisht.
Neni 39
Mënyra e zhvillimit të provimit
Provimet zhvillohen në orën dhe datën e caktuar. Për shkaqe të forcës madhore apo shkaqe të tjera, dekani urdhëron datën dhe orën e re të zhvillimit të provimit, duke njoftuar studentët të paktën 3 ditë para.
Studentët merren në provim nga një komision i përbërë nga dy pedagogë, nga të cilët njëri duhet të jetë i lëndës. Komisioni përcaktohet nga shefi i departamentit ku bën pjesë lënda.
Nëse njëri nga pedagogët nuk mund të marrë pjesë në provim ose kur përgjegjësi i departamentit e gjykon, ai përcakton pedagogun që do ta zëvendësojë.
Provimet me shkrim bëhen në fletë të sekretuara. Mënyra e sekretimit përcaktohet në rregulloret e brendshme të njësive kryesore.
Studenti paraqitet në provim me një dokument identifikimi.
Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm, me përjashtim të përgjegjësit të departamentit, autoriteteve drejtuese të fakultetit e personave të tjerë të autorizuar me shkrim nga dekani ose Rektori për të kryer kontroll.
Për provimet me alternativa, në mbarim të provimit duhet të bëhet publik çelësi i zgjidhjes së tezës.
Neni 40
Shkalla e përvetësimit të programit mësimor vlerësohet me sistemin prej dhjetë notash. Nota kaluese më e ulët është nota pesë.
Në format e kontrollit me shkrim përdoret dhe sistemi i vlerësimit me pikë, rezultati i të cilit detyrimisht kthehet në notë.
Rezultatet e provimit u bëhen të njohura studentëve nga komisioni në përfundim të provimit me gojë dhe për provimet me shkrim brenda 15 ditëve nga data e zhvillimit të provimit. Në këtë rast rezultatet e provimit afishohen për çdo grup. Pas korrigjimit të provimeve, proçesverbalet dorëzohen në sekretarinë mësimore brenda 5 ditëve nga data e afishimit të rezultateve përfundimtare.
Në përfundim të sezonit të vjeshtës, sekretaritë mësimore hartojnë listat e studentëve që rezultojnë mbartës të lëndëve të ndryshme si dhe listat e studentëve përsëritës.
Në përfundim të programit të studimit, studentëve ju njehsohet nota mesatare e ponderuar, që merr në konsideratë edhe kreditet respektive për çdo disiplinë apo veprimtari tjetër formuese
Ankimi
Neni 41
Studenti ka të drejtë të ankohet për shkelje të rregullave të zhvillimit të provimit. Ankesa i paraqitet me shkrim përgjegjësit të departamentit brenda 24 orëve nga data e zhvilllimit të provimit.
Përgjegjësi i departamentit nëse verifikon shkelje të korrigjueshme, në bashkëpunim me komisionin e provimit, bëjnë korrigjimet e duhura.
Në rast se përgjegjësi i departamentit e gjykon se e ka të pamundur të marrë vendim, i propozon dekanit i cili pasi është njohur me të gjithë procedurën merr vendim. Nëse ai e gjen të drejtë ankesën e studentit, anullon provimin dhe merr vendim për rizhvillimin e provimit.
Neni 42
Studenti ka të drejtë të ankohet për rezultatin përfundimtar të provimit. Ankesa i paraqitet me shkrim përgjegjësit të departamentit brenda 48 orëve nga marrja dijeni e rezultatit të provimit, i cili bën verifikimet e duhura dhe kur e gjen të pamundur zgjidhjen e ankesës, vë menjëherë në dijeni dekanin.
Dekani, brenda 48 orësh nga marrja dijeni për ankesën nga përgjegjësi i departamentit, n
