Vilma Marku
Endrra ime ishte te zgjidhja nje profesion qe te me siguronte te ardhmen, por mbi te gjitha ta realizoja kete ne institucionin e duhur. Prandaj zgjodha universitetin "Medikadent"!

Rregullorja Akademike
Regjistrimi i studentëve
Studentët, që dëshirojnë të vazhdojnë studimet universitare pranë Universitetit “MEDIKADENT” duhet të paraqesin një dosje, përmbajtjen e së cilës ju mund ta gjeni në rubriken info të kësaj guide, ose në faqen zyrtare të universitetit: www.medikadent.edu.al
Studentët, të cilët transferohen nga institucione të tjera të arsimit të lartë, përveç dokumentave të mësipërme, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti, ku kanë ndjekur më parë studimet, listën e notave së bashku me kreditet e fituara për lëndë dhe plan-programet e detajuara të lëndëve së bashku me informacionin e nevojshëm mbi institucionin e arsimit të lartë.
Kandidatët që pranohen, fitojnë të drejtën të ndjekin studimet në vitin akademik që konkurojnë, nëse regjistrohen pranë fakultetit përkatës, brenda afateve të parashikuara dhe të shpallura.
Sistemi i studimit
Sistemi i studimit në Universitetin “MEDIKADENT” është me kohë të plotë. Afati i studimit është tri vite te plota akademike ne secilin prej programeve te studimit.
Afatet e studimit
Afati maksimal i përfundimit të studimeve të plota universitare është deri në dhjetë vjet dhe studentët kanë deri në tre vjet afat për mbrojten e diplomës pas përfundimit të plotë të studimeve.
Format e Organizimit të Procesit Mësimor
Format kryesore të punës mësimore në Universitetin “MEDIKADENT” janë leksionet, seminaret, ushtrimet, punët laboratorike, praktikat profesionale, detyrat e kursit, konsultimet, etj.
Viti akademik ka 30 javë mësimore, të organizuara në dy semestra dhe 8 javë të përcaktuara për sesionet e provimeve semestrale.
Lëndët ndahen në dy grupe: lëndë të detyruara dhe lëndë me zgjedhje. Lëndët jane të konceptuara në formë moduli dhe modulet janë semestrale. Një lëndë mund të ketë disa module.
Detyrimet dhe të drejtat e studentit
Studenti ka të drejtën dhe detyrimin e pjesëmarrjes në proçesin mësimor (leksione, seminare, praktika, laboratore, provime, etj), të drejtën të përfitojë nga proçesi mësimor dhe të diplomohet pasi të shlyejë detyrimet e përcaktuara në planin mësimor. Studenti mund të kërkojë një vlerësim të drejtë dhe objektiv të përpjekjeve dhe të ecurisë së tij gjatë viteve, të bëjë ankesë dhe të dëgjohet nga organizmat përkatëse, kur mendon se vlerësimi nuk është i drejtë.
Studenti ka të drejtë të përdorë mjediset e shkollës, si dhe të përfitojë nga të gjitha të drejtat e parashikuara nga Statuti dhe Rregullorja e Shkollës, si dhe ka detyrimin të njohë dhe të zbatojë të gjitha përgjegjësitë, që burojnë nga to.
Kreditet
Çdo lëndë karakterizohet nga kreditet, të cilat vlerësojnë nga ana sasiore, kohën për përgatitje dhe punë në auditor me pedagogun ose punë të pavarur, e nevojshme kjo për përgatitjen e studentit. Kreditet për çdo lëndë pasqyrohen në strukturën mësimore (kurrikulen) e seciles degë.
Një kredit është i barabartë me 25 orë punë, nga të cilat pothuajse gjysma janë orë mësimore në auditor dhe pjesa tjetër janë orët e nevojshme për përgatitjen e pavarur të studentit. Çdo vit akademik përmban minimalisht 60 kredite dhe studenti duhet të fitojë minimalisht 30 kredite për të kaluar nga një vit akademik në tjetrin.
Kontrolli i dijeve
Gjatë një viti të plotë akademik vihen në dispozicion të studentit kater sesione provimesh, nga të cilat dy janë sesione normale në fund të semestrit të parë dhe të dytë, ndërsa dy janë sesione provimesh të prapambetura.
Studenti fiton të drejtën për të hyrë në provim nëse ka ndjekur minimalisht 75% të leksioneve dhe seminareve, 100% të praktikave laboratorike dhe profesionale si dhe ka shlyer të gjitha detyrimet e përcaktuara në programin e lëndës.
Studenti vlerësohet gjatë gjithë vitit akademik. 40% të vlerësimit përfundimtar studenti e përfiton gjatë pjesëmarrjes aktive në procesin mësimor, detyrave të kursit, testeve ose praktikave profesionale të organizuara gjatë zhvillimit të lëndës për çdo semestër.
Kontrolli i dijeve të një lënde (provimi) zhvillohet brenda sesionit të provimeve dhe mënyrat e kontrollit përcaktohen nga departamentet përkatëse, mbështetur në planin mësimor, sipas specifikave të lëndës.
Diplomimi
Në përfundim të kursit të studimit, me shlyerjen e plotë të detyrimeve, studenti fiton të drejtën për të hyrë në provimin e diplomimit, që zhvillohet në dy mënyra:
- me mbrojtjen e një mikroteme
- me provim formimi profesional
Me dhenien me sukses te provimit perfundimtar te diplomimit, pasi ka fituar 180 kredite, studenti fiton “Diplomë të Nivelit të Parë” (Bachelor) ne degen ku ai ka studiuar.
